Rishfaqet Alfred Peza, jep mendimin për PS-LSI: Ka 2 qëndrime, një me deklarim dhe një me mosdeklarim...

Pas më shumë se dy muajsh në heshtje në lidhje me hetimet për aksionet prej 1 miliardë Lekë, deputeti i PS Alfred Peza është rishfaqur në media.

Deputeti socialist, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka dhënë mendimin e tij për koalicionin PS-LSI nëse do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Alfred Peza u shpreh njësoj si disa kolegë të tij socialistë, se tashmë PS ia ka shtrirë dorën LSI-së, ndërsa kjo e fundit nuk ka dhënë ende një konfirmim nëse do ta vazhdojë koalicionin edhe për mandatin e ardhshëm.

Ja çfarë deklaroi deputeti i PS Alfred Peza:

Ka dy qëndrime; një me deklarim dhe një me mosdeklarim nga dy palët kryesore, nga PS dhe LSI. PS është shprehur hapur, qartë dhe prej kohësh në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë që LSI nuk ka një deklaratë të qartë dhe të prerë në lidhje me koalicionin, është e mirëkuptueshme për aq kohë sa një parti bën kalkulimet e veta.

Nuk është sekret që tashmë LSI me qëndrimet e liderëve të saj dhe ministrave apo aktorëve të tjerë më pak apo shumë të rëndësishëm është shprehur për një lloj protagonizmi më të madh në zgjedhje, deri në daljen e saj e vetme në zgjedhje. Kjo është krejt normale. Informacioni im është se ajo çfarë ndodh në jetën fizike, ndodh dhe në jetën metafizike. Ka një boshllëk në terren, ku elektorati është fokusuar tek PS. PD ka një boshllëk dhe partitë e tjera politike po e shfrytëzojnë këtë terren.

Në politikë ju e dini që procesi i negocimit është permanent dhe është aty për sa kohë kur palët politike në distancë apo undergroun apo publikisht japin e marrin mesazhe. Procesi politik në tërësinë e vet është një negociatë në vijim. Ka një dhënie topi, nëse e keni lexuar deklaratën e zoti Rama për zgjedhjen e presidentit, thuhet se ai të zgjidhet në mënyrë konsensuale. Është një dritare. Nuk e di nëse është lexuar siç duhet.

Nuk kam dëgjuar në zë të tillë kundër koalicionit. Zyrtarisht në asnjë rast nuk është diskutuar brenda PS për ndarje. Në politikë është akoma thënia: Kurrë mos thuaj kurrë. Si e tillë nuk do thotë se ka lajm që ne po mendojmë këtë apo atë. Ditën e diel lançohet dhe Kongresi Elektoral.