‘Ne i respektojmë shumë gratë’: Talibanët organizojnë një samit me 3000 burra delegatë

Burrat do t'i përfaqësojnë gratë në një mbledhje me 3000 delegatë meshkuj për të ardhmen e Afganistanit, ka thënë një figurë e lartë talebane.

Takimi në Kabul të enjten është mbledhja e parë e madhe e klerikëve islamikë dhe pleqve të fiseve që kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar.

Kritikët dhe grupet e shoqërisë civile thanë se nuk do të ketë legjitimitet nëse gratë afgane, të cilat janë rreth 20 milionë, nuk marrin pjesë.

Zv.kryeministri në detyrë i talebanëve, Abdul Salam Hanafi, tha se burrat do të përfaqësonin gratë në këtë ngjarje.

"Gratë janë nënat, motrat tona. Ne i respektojmë shumë," tha Zv.kryeministri në detyrë i talibanëve, Abdul Salam Hanafi të mërkurën. “Kur djemtë e tyre janë në tubim, do të thotë se edhe ato janë të përfshira në një farë mënyre, në atë tubim”.

“Do të mblidhen njerëz të ndryshëm me pikëpamje të ndryshme. Ky do të jetë një hap pozitiv për stabilitetin në Afganistan dhe forcimin e unitetit kombëtar”, tha ai për transmetuesin shtetëror RTA.

Hanafi tha se qeverisja islame dhe ekonomia, si dhe "çështjet sociale" të vendit do të diskutohen në takimin vetëm për burra. Është e paqartë nëse do të diskutohen çështjet lidhur me arsimin e mesëm të vajzave apo të drejtat e grave.

 

 

Mediat nuk lejohen të marrin pjesë.

Aktiviteti, i cili është i ngjashëm me "loya jirga" tradicionale të përdorur nga ish-presidenti Ashraf Ghani për të marrë vendime kombëtare, shihet si një përpjekje nga talebanët për të përmirësuar legjitimitetin e tyre të brendshëm dhe për të siguruar njohjen e nevojshme ndërkombëtare.

Qeveritë ndërkombëtare nuk e kanë njohur ende grupin e mëparshëm kryengritës si sundimtar legjitim të Afganistanit, që nga marrja e pushtetit vitin e kaluar, kryesisht për shkak të politikave të tyre ndaj grave dhe vajzave.

Në mars, talebanët pezulluan arsimin e mesëm për shumicën e vajzave adoleshente, gratë u urdhëruan të mbuloheshin dhe i ndaluan të udhëtonin 70 km përtej shtëpisë së tyre pa një shoqërues mashkull.

Mundësitë e grave për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike janë kufizuar gjithashtu.