Idrizi i përgjigjet Greqisë: Çështja çame ekziston! Ja ku jam! Babai im u dëbua nga Margëlliçi

Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitetit, Shpëtim Idrizi, kërkoi gjatë fjalës së tij në Kuvend këtë të enjte, që të ngrihet një komision dypalësh me akademikë mes Shqipërisë dhe Greqisë për të diskutuar çështjen çame.

“Të ngrihet një komision dypalësh me akademikë, historian, juristë dhe të diskutojnë ata mbi faktet historike, ne pranojmë verdiktin e tyre. Asnjëherë ne nuk duhet ta barazojmë Çamërinë me Vorio Epirin”, tha Idrizi.

Idrizi deklaroi gjithashtu se qeveria shqiptare duhet t’i japë përgjigjen e duhur palës greke në momentin që ata mohojnë ekzistencën e çamëve, përcjell Panorama. Ai risolli në vëmendje historinë personale familjare, ku tha se babai i tij u dëbua në moshën 2-vjeçare nga Marglliçi.

“Artikulli 1 i Konventës së Këshillit të Evropës, e drejta e pronës garanton të drejtën e pronës brenda dhe jashtë vendit. Ky nen u dhunua. Shteti i sotëm grek ka një përgjigje foshnjarake për këtë çështje, thonë nuk e njohim, që kjo çështje nuk ekziston. E padëgjuar ndonjëherë në diplomaci kjo shprehje që ju dhe kjo çështje dhe ju nuk ekzistoni.

Kur ne themi që çështja Çame është një çështje politike dhe universale e të drejtave të njeriut, kemi të bëjmë me disa komponentë të saj. Unë dua t’u drejtohem në këtë sallë: Kush nuk ekziston?

Unë quhem Shpëtim Hysni Idrizi, babai im u dëbua në moshën 2-vjeçare nga Marglliçi. Sot jam në parlamentin e Shqipërisë dhe kërkoj drejtësi për familjen time, por edhe për ata mijëra shqiptarë që ndjenë thikën në palcë. Besoj që jam para jush dhe unë ekzistoj.

Unë jam si deputet në këtë foltore të parlamentit të Shqipërisë për t’iu kujtuar që ekzistoj. Por si unë në këtë sallë janë dhe të paktën 5 deputetë të tjerë që kanë gjak çam dhe që ekzistojnë. Në këtë vend janë më shumë se 200 mijë çamë dhe ata ekzistojnë.

Ne shqiptarët e Çamërsië nuk jemi rastësisht këtu, jemi pasardhësit e atyre që u vranë dhe u masakruan vetëm se ishin shqiptarë, Në zgjedhjet e fundit ishin të paktën 30 deputetë çam nga të gjitha forcat politike vetëm në 5 qarqe dhe ju e dini mirë që logjika elektorale përgënjeshtron çdo klishe politike. Prandaj ky arsyetim i pakuptimtë i diplomacisë fqinje kërkon një përgjigje serioze”, tha Idrizi.