VIDEO-SYRI TV/ Helmimi masiv në Kukës: Vijon fluksi në urgjencë

Më shumë se 130 qytetarë të tjerë janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit në Urgjencën e Spitalit të Kukësit, për të marrë shërbim shëndetësor.

Qytetarët e paraqitur në urgjencë kanë simptoma të helmimit. Ata paraqiten me diarre, të vjella, këputje, temperaturë dhe shenja të tjera, që tregojnë anomali shëndetësore, të ngjashme me ato që shkaktohen nga helmimi.

Dyshimet janë se shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm, por kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, e përjashtoi këtë mundësi një ditë më parë duke u shprehur se uji është i pastër.

Ndërkohë në urgjencë qytetarët presin në radhë për të marrë shërbim mjekësor, pasi nuk ka shtretër për të përballuar fluksin e lartë.

Mjeku i urgjencës Neritan Biba dyshon se shkak i helmimit mund të jenë ushqimet e ekspozuara në temperatura të larta. Mjeku nga ana tjetër thotë se në spital ka kapacitete për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve të paraqitur në spital.