Treni del nga shinat: Tre të vdekur, 50 të plagosur në Misuri pasi Amtrak goditi kamionin

SHBA - Të paktën tre persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë raportohet se janë plagosur pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat kur u përplas me një kamion në Misuri.

Rreth 243 pasagjerë ishin në bordin e trenit Los Angeles - Chicago kur doli nga shinat në një vendkalim hekurudhor pranë qytetit Mendon.

Shtatë vagonë dhe dy lokomotiva dolën nga shinat në incidentin që ndodhi në orën 12:42 me orën lokale (17:52 GMT).

Në vendngjarje janë nisur ekipet e emergjencës nga zona.

Në një deklaratë, Amtrak - operatori kombëtar hekurudhor i SHBA-së - tha se treni "Southëest Chief" që udhëtonte në drejtim të lindjes nga Los Angeles goditi "një kamion që po pengonte një kalim publik" pranë Mendon, një qytet me rreth 160 banorë që ndodhet 84 milje larg nga Kansas City. Dymbëdhjetë anëtarë të personelit ishin gjithashtu në bord.

Zyrtarët e Patrullës së Autostradës së Misurit konfirmuan se dy persona në tren dhe një person në kamion u vranë në përplasje.

Një anëtar i shërbimit lokal të ambulancës tha se të paktën 50 persona u plagosën.

"Gjithçka ndodhi si një lëvizje e ngadaltë. Filloi të lëkundet... dhe më pas të dridhej, dhe pastaj krejt papritur - i gjithë ky pluhur hyri nëpër dritaren time," tha për CNN Robert Nightingale, i cili kishte fjetur në tren.

Amtrak tha se ekipi i tij i reagimit ndaj incidentit ishte aktivizuar dhe personeli shtesë i urgjencës po dërgohet në vendngjarje, ku një hetim është duke vazhduar.