Serbët kremtojnë 'Vidovdanin', Kosova ndërmerr masat e sigurisë

Serbët festojnë sot “Vidovdanin”. Ata përkujtojnë betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389. Në Gazimestan afër Prishtinës, pritet të vijnë një numër qytetarësh të këtij nacionaliteti, nga Kosova dhe Serbia.

Në lidhje këtë ngjarje,  Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë të gjitha masat, njofton RTK. Policia ka njoftuar se ka hartuar operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.

Historia serbe, Ditën e Shën Vidit e sheh të pandarë me Betejën e Kosovës, betejë kjo e zhvilluar para 633 vjetësh, si dhe e njeh atë si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht se forcat ballkanike e kishin humbur atë nga forcat e Perandorisë Osmane, ku edhe ishte vrarë princi serb Lazar.

E në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen e siç thuhej bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës.

 Ky kishte qenë edhe paralajmërimi i luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave.