Nikoll Lesi zbulon grupin e fuqishëm brenda PS-së, që kërkon ndarjen Rama-Meta

Menjëherë pas deklaratës së Gramoz Ruçit, se PS-ja është e gatshme të dalë edhe pa LSI-në në zgjedhje nëse kjo e fundit vazhdon “të hedhë vickla”, Nikoll Lesi i shqetësuar me shpejtësi rrufe është ulur dhe ka shkruar një shkrim, nëpërmjet të cilit zbulon edhe një grup brenda kupolës së Rilindjes i cili punon dhe kërkon që të mos arrihet një marrëveshje paraelektorale mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Në shkrimin e hedhur në “Koha Jonë online”, të  firmosur me pseudonimin e tij të preferuar Spiten Prulli, me titullin kuptimplotë “Ruçi kundër Ramës”, Lesi ngre alarmin se Rama ndodhet nën një sulm total nga grupi i Saimir Tahirit dhe Gramoz Ruçit. Sipas tij ky grup, prej kohësh ka punuar dhe po vazhdon me intesitet të sabotojë një marrëveshje të mundshme mes Ramës dhe Metës.

Sipas Lesit, kjo fushatë bëhet pavarësisht porosive të Ramës që tani për tani të mos thuhet asnjë fjalë kundër Ilir Metës dhe LSI-së. Ky shqetësim dhe alarm i Nikoll Lesit duket se amplifikon shqetësimin dhe merakun e vërtetë të Ilir Metës, duke ditur afrinë që ka botuesi i Koha me kreun e LSI-së.

Shkrimi i KJ: “Ruçi kundër Ramës” 

Pas shkarkimit të  Saimir Tahirit nga ministër i brendshëm  në selinë rozë nuk janë kaq qetë punët siç mundohen ti pasqyrojnë në publik. Praktikisht Edi Rama ndodhet nën një sulm total nga grupi i Saimir Tahirit dhe Gramoz Ruçit, të cilët praktikisht kanë punuar dhe vazhdojnë të jenë kundër koalicionit me LSI e Metës. Saimir Tahiri ka njëfarë të drejte, pasi iku pa lajmëruar e kujtuar, si dhe tashmë i zbehen shumë kuotat për të marrë PS-në kundrejt rivalit që buzëqesh duke punuar, Erion Veliaj.

Nga njëra janë Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe një numër i madh ministrash e deputetësh, të cilët shikojnë qetësisht dhe qartë se pa LSI nuk mbahet pushteti dhe as nuk fitohet, kurse nga ana tjetër kryesimin e grupit antiMeta e mori sot në Fier pikërisht Gramoz Ruçi. Me sa duket nuk duruan dhe filluan sulmin ndaj LSI, por në thelb janë kundër Edi Ramës, pasi Ruçi dhe Tahiri nuk kanë se ç’të humbasin më. Konkretisht kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi në një takim në Libofsh të Fierit ka folur për koalicionin me LSI-në dhe për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ruçi ka thënë prerë se LSI-ja nuk është faktor për futjen e socialistëve në zgjedhje, duke thënë se me ose pa LSI-në Partia Socialiste do hyjë në zgjedhje.

“Me ose pa LSI-në, PS do futet në zgjedhje si forcë fitimtare. PS është e vendosur për tu futur në zgjedhje. E kemi shprehur që duam të jemi në koalicion me LSI-në në të ardhmen. LSI-ja nuk ka folur për këtë gjë. Opozita e ka marrë përgjigjen nga SHBA-ja, Merkel” mësohet të ketë thënë Ruçi.

Por nga burime shumë të besuara mësohet se Edi Rama ka porositur jo vetëm Endri Fugën, por edhe krejt deputetët dhe ministrat që kuptojnë nga matematika zgjedhore se nuk duhet të thuhet asnjë fjalë kundër Ilir Metës dhe LSI, derisa të firmoset koalicioni. Duke e ditur se LSI akoma nuk po vendos për koalicionin dhe praktikisht mbetet në dilemë, por me shumë anon nga vazhdimi i koalicionit, ndonëse çadra ka prishur paksa humorin; grupi kundër shkarkimit të Saimir Tahirit godet Ilir Metën dhe LSI. Pra dalin parimor në gjirin e socialistëve, por praktikisht iu heqin karriken e pushtetit.

Duke e lidhur deklaratën e sotme të Gramoz Ruçit me atë të Saimir Tahirit para një jave ku ai tha se “koalicionin e duam me shqiptarët,…..” dhe bëri insinuata ndaj Ilir Metës, kuptohet se grupi “Ruçi-Tahiri and co” duan të ndajnë Ramën me Metën. Duke sulmuar Metën ata hanë me kollaj Edi Ramën.

Grupi Ruçi pasi spostoi Ben Blushin dhe palosi Koço Kokëdhimën, i është turrur vetë kryeministrit Rama. Kryeministri u ka prekur grupin me shkarkimin e ministrit!