Lufta në Ukrainë: Zelensky do t'i drejtohet G7-ës, ndërkohë që raketat ruse godasin qytetet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për dërgimin e më shumë armëve të rënda kur ai t'i drejtohet grupit të G7 të vendeve të pasura më vonë, gjatë ditës.

Mesazhi pason një breshëri sulmesh raketore ruse në Kiev dhe zona të tjera gjatë fundjavës, të cilat vranë të paktën një person. Në Ukrainën lindore, Rusia ka marrë kontrollin e plotë të Severodonetsk dhe po synon Lysychansk aty pranë.

Të dielën, Zelensky tha se shtyrja e dërgesave të armëve ishte "ftesë për Rusinë, për të goditur përsëri e përsëri".

Nëpërmjet një fjalimit të tij të përditshëm me video, ai bëri thirrje gjithashtu për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sanksione të reja ndaj Rusisë. “Partnerët duhet të lëvizin më shpejt nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, tha ai.

Po ashtu, Presidenti i Ukrainës iu drejtua qytetarëve bjellorusë:

"Dëshiroj t'u drejtohem veçmas qytetarëve të Bjellorusisë sot. Edhe civilëve, edhe atyre me uniformë. Ju jeni duke u tërhequr në luftë. Dhe edhe më aktivisht se në shkurt dhe në muajt e pranverës. Kremlini ka vendosur tashmë gjithçka për ju - jeta juaj nuk vlen asgjë për ta. Por ju nuk jeni skllevër dhe mish topash. Ju nuk keni pse të vdisni. Dhe mund të parandaloni këdo që të vendosë për ju se çfarë ju pret më pas," tha ai.