G7 me iniciativë investimesh për dobësimin e ndikimit të Kinës

Grupi i shtatë ekonomive kryesore botërore (G7) nisi zyrtarisht një infrastrukturë globale dhe partneritet investimesh në samitin e tij vjetor, qëllimi i të cilit është të zvogëlojë ndikimin e Kinës në botën në zhvillim.

Programi i G7 është një përgjigje ndaj të ashtuquajturës Nisma e Brezit dhe Rrugës së Kinës, e cila, sipas zyrtarëve perëndimorë, i vendos vendet në një kurth borxhi me investime që përfitojnë më shumë Kinën sesa vendet ku ato investojnë.

Shtëpia e Bardhë tha se nisma po përpiqej të kanalizonte 200 miliardë dollarë gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, me shuma të ngjashme nga aleatët e G7 për të inkurajuar zhvillimin e infrastrukturës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Siç u tha, shumica e financimit do të vijë nga sektori privat, pasuria sovrane dhe fondet e zhvillimit global, dhe jo drejtpërdrejt nga paratë e taksapaguesve.

SHBA deklaroi se nisma e mbështetur nga G7 promovon investime të përgjegjshme, qëllimi i të cilave është të jenë të dobishme për komunitetet ku janë vendosur.

Ndër iniciativat e para janë një investim prej 2 miliardë dollarësh në një fermë diellore në Angola në Afrikën Jugperëndimore, 320 milionë dollarë për të ndërtuar një spital në Bregun e Fildishtë në Afrikën Perëndimore dhe 40 milionë dollarë për të promovuar tregtinë rajonale të energjisë në Azinë Juglindore.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen tha se G7 ofron "infrastrukturë të qëndrueshme cilësore" dhe se do të "dëgjojë nga afër vendet" në të cilat po zhvillohet.