VIDEO-SYRI TV/ Këlliçi: Projektligj për të amnistuar krimin dhe pastruar paratë e pista

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me projektligjin e hedhur në treg nga qeveria, vetëm 1 ditë pasi Brukseli refuzoi për të disatën herë, Shqipërinë e Edi Ramës, që ti hapë negociatat.

Këlliçi shkruan në Facebook, se ky është një projektligj për të amnistuar krimin dhe pastruar paratë e pista të mbledhura nga krimi dhe droga.

Reagimi i Belind Këlliçit:

Partia në pushtet ka hartuar një projektligj sipas të cilit nëse je shtetas shqiptar ose i huaj por rezident tatimor në Shqipëri, dhe bën të ditur vullnetarisht pasurinë e padeklaruar, deri në vlerën e 2 milionë EUR, kjo e fundit bëhet e ligjshme nëse në këmbim i dorëzon shtetit 7% të vlerës së saj.

Çështjet e korrupsionit dhe kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike, që janë në hetim nga SPAK, mund të mbyllen nëse paguhet 7% i shumës.

Shqipëria nuk duhet quajtur më ‘Kolumbia e Europës’, sepse as Kolumbia nuk ka bërë amnisti të tilla.

Me këtë projektligj, partia në pushtet i merr haraç krimit, duke e pastruar nga të zezat e së kaluarës.

Një arsye më shumë, mes dhjetëra të tjerave, për të protestuar më 7 korrik.