Hoxha: Rama cënon integrimin, ka kthyer timonin nga Vuçiç! Diaspora i bashkohet '7 korrikut'

Sekretari për Diasporën dhe Migracionin në Partinë Demokratike, Indrit Hoxha, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv deklaratat e Ramës në Bruksel dhe protestën e 7 korrikut të thirrur nga kreu i selisë blu Sali Berisha. Hoxha tha se ne duhet të jemi pjesë e Europës dhe jo e nismës 'Open Balkan' që ka epiqendër kryesore Beogradin dhe Vuçiçin nën ndikimin e Rusisë.

“Sot fatekqësi e madhe që politika shqiptare e ka kthyer timonin e saj drejt Beogradit dhe Moskës. Qëndrimet e Ramës cënojnë rëndë integrimin e Shqipërisë në BE.”-tha Hoxha.

Për deklaratat e bëra së fundmi nga Rama, Indrit Hoxha deklaroi se kreu i qeverisë njihet si person që bën ‘shoë’ por përveç kësaj, ai e ka drejtuar politikën nga Vuçiç, duke kujtuar mosvotimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë dhe Kosovë.

“S’mund të sillet si lider ballkanik përballë fuqive të mëdha Europiane. E bën për të hequr vëmëndjen nga varfëria në Shqipëri, nga vend i varfër po shkojmë në skamje. Kanë ikur mbi 500 mijë shqiptarë. Pas 32 viteve demokraci, kjo është një fatkeqësi e madhe.”-u shpreh Hoxha.

Për nismën ‘Open Balkan’ Hoxha u shpreh se në raport me BE-në kjo është një gjuhë e rrezikshme që cënon interesin kombëtar të Shqipërisë.

“Orientimi duhet të jetë për në BE dhe jo për ‘Open Balkan’ që ka në prapaskenë Sorosin dhe Lavrovin e Rusisë. Qeveria dhe parlamenti urgjentisht duhet të miratojnë gjenocidin serb në Kosovë, të njohi që Serbia ka bërë gjenocid, Serbia të njohë Kosovën, siç njihet nga çdo republikë tjetër, pastaj të flasim për zhvillimin ekonomik të Ballkanit.”-tha Hoxha.

Ndër të tjera Indrit Hoxha tha se Partia Demokratike i ka të gjitha kapacitetet e saj për të ndërtuar çdo degë të saj në çdo vend ku ka shqiptarë në rruzullin tokësor ndërsa shtoi se qytetarë të diasporës do t’i bashkohen protestës së 7 korrikut për të rrëzuar Edi Ramën.

"Duhet të jemi avangardë për çështjen e diasporës, teknologjisë në lidhje me diasporën. Kam besimin që shumë persona dhe qytetarë të diasporës do t'i bashkohen protestës së 7 korrikut sepse diaspora në gjykimin e PD mund të luajë rol vendimtar për përmbysjen e këtij regjimi që është në Shqipëri.”-deklaroi Hoxha.