Guterres paralajmëron për një katastrofë të mundshme për shkak të mungesës globale të ushqimit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se bota po përballet me një katastrofë, për shkak të mungesës në rritje të ushqimit. 

Guterres tha se lufta në Ukrainë kontribuoi në shqetësimet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pandemia e koronavirusit dhe ndryshimi i madh midis të varfërve dhe të pasurve, dhe prodhoi një "krizë të paprecedentë urie globale" që tashmë po prek qindra miliona njerëz.

“Ka rrezik real që në vitin 2022 të shpallet një krizë e shumëfishtë ushqimore. Dhe viti 2023 mund të jetë edhe më i keq”, tha ai në një video-mesazh për zyrtarët nga dhjetëra vende të pasura që u takuan në Berlin.

Guterres vuri në dukje se të korrat në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën do të reduktohen pasi fermerët në mbarë botën luftojnë me rritjen e çmimeve të plehrave dhe energjisë.

“Problemet e këtij viti të aksesit të ushqimit mund të bëhen një mungesë globale vitin e ardhshëm. "Asnjë vend nuk do të jetë imun ndaj pasojave sociale dhe ekonomike të një katastrofe të tillë," tha ai.

Guterres deklaroi se negociatorët e paqes të OKB-së po punojnë për një marrëveshje që do t'i mundësonte Ukrainës të eksportojë ushqim përmes Detit të Zi dhe Rusisë të eksportojë ushqime dhe plehra në tregjet botërore pa kufizime.

Ai bëri thirrje gjithashtu për uljen e borxhit ndaj vendeve të varfra për të ndihmuar mbijetesën e ekonomive të tyre.

Mikpritësja e takimit në Berlin, Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, tha se pretendimi i Moskës se sanksionet perëndimore të vendosura për shkak të pushtimit rus të Ukrainës ishin fajtorë për mungesën e ushqimit ishte "plotësisht i paqëndrueshëm".

Ajo i bëri jehonë komenteve të Guterres se disa faktorë qëndrojnë në themel të krizës në rritje të urisë në mbarë botën. 

“Por sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ktheu valën në një cunami”, tha Burbock.