Qen varrezash…

Ish-diplomati amerikan Richard Holbrooke, i referohej politikanëve ballkanas në librin e tij ‘To End a War’, si ‘ata qentë që ruajnë varrëzat e makinave-Junkyard dogs’. 

Të njëjtën kategori politikanësh panë edhe liderët evropianë dje në Bruksel, tek tre liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Duhet të jetë shumë e vështire të jesh lideri i një vendi evropian dhe të jeshë i detyruar të rrish në një sallë duke dëgjuar pallavrat e një p*rdhaci ballkanas. Aq më tepër kur ky ballkanas është një sharlatan.  Më tepër akoma nëse je lider i një vendi si Italia, Franca, Belgjika, Hollanda, apo Spanja, vende ku shërbimet e inteligjencës apo organet e zbatimit të ligjit e njohin Shqipërinë si një narko-shtet, dhe Edi Ramën si krye trafikant.

Imagjinoni çehren e Mario Draghi-t, kur dëgjon leksione nga sponsorizuesi politik i Saimir Tahirit, i Arben Ndokës, Arben Prengës, Mark Frrokut, Elviz Roshit, Vangjush Dakos, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut.  Imagjinoni kryeministrin belg tek dëgjon Edi Ramën ndërsa ‘telendis’ Këshillin Evropian ndërkohë që 37 prokurorë të tij e kanë zbarkuar në Tiranë prej muajsh duke hetuar lidhjet e krimit të organizuar shqiptar me politikanë të lartë, majtas, djathtas, para, prapa, dhe poshtë Edi Ramës, më të në qendër.

Që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, samit që përcaktoi rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian ka ecur në një platformë me dy shina. Le të themi ka ecur me parimin ‘polic i mirë, polic i keq’.  Në të gjithë periudhën e qeverisjes së Partisë Socialiste kemi parë Komisionin Evropian (burokracinë e Brukselit) tek propozon hapjen e negociatave nga njëra anë, dhe Këshillin Evropian (kryetarët e qeverive të vendeve anëtare) që e refuzojnë atë.  Kjo qasje nuk është e rastësishme. Kjo është një linjë politike.

Nga njëra anë kemi Komisionin që me rekomandimet pozitive e mban derën ose premisën e anëtarësimit të hapur (polici i mirë), dhe nga ana tjetër kemi Këshillin i cili nuk është i bindur për ecurinë e reformave (polici i keq).  Po ashtu kemi parë se sa herë që Komisioni ka propozuar  hapjen e negociatave, Këshilli ka refuzuar duke shtuar edhe më tej numërin e kritereve që duhet plotësuar. 

Në rolin e policit të mirë kemi parë Komisionin dhe përfaqësinë e BE në Tiranë mik me qeverinë, ndërkohë që përfaqësitë e shteteve anëtare nxijnë në raportet e tyre.

Reagimi prej harbuti i Edi Ramës dje në Bruksel është në fakt edhe një farë Karme, pikërisht për këtë standard të dyfishtë të Bashkimit Europian.  Në fakt është dhe një gjë e mirë kjo.

Evropianët po shohin një Edi Ramë të cilin kemi më shumë se dy dekada që shqiptarët e shohin: një arrogant, prepotent, tangarllëks, injorant, i paaftë, i palexuar, me batuta të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, që merret me çështje globale dhe që kërkon të imponojë fatin e Evropës. 

Tallet me maqedonasit, shan evropianët, fyen bullgarët, i del në krah serbëve, bullizon shqiptarët e Kosovës, i vjedh dhe i rrah qytetarët e vetë. Një kryeministër që merr peng kryetarin e opozitës dhe mban nën shantazh permanent në një skemë të pastër mafioze.  Nga dje, raportet midis Bashkimit Evropian dhe këtyre ballkanasve kanë ndryshuar përgjithmonë. Por jo siç shpresonin këta të fundit…