VIDEO-SYRI TV/ ‘Autokombajna’ dhe fshati përfundojnë në gjyqin e SPAK

240 banorët e fshatit Kozare, të cilët u thirrën për të dëshmuar në gjykatë nga SPAK, kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj bashkëfshatarit të tyre Bektash Shtëpenjës. Të intervistuar nga Syri TV, ata shprehen se Bektashi të ardhurat e tij i ka siguruar duke punuar tokat e fshatit dhe nuk ka pse të jetë subjekt i OFL pasi nuk është marrë kurrë me aktivitet të jashtëligjshëm

SYRI TV

240 fermerët e fshatit Kozare në Kuçovë janë thirrur si "dëshmitarë" në një proces gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ata janë thirrur në gjykatë për një dosje të Operacionit Forca e Ligjit (OFL), ku Struktura e Posaçme (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së bashkëfshatarit të tyre Bektash Shtëpenjës, pasi djali i tij rezulton i dënuar në Itali.

Të intervistuar nga SYRI TV, banorët e fshatit Kozare janë shprehur se Bektash Shtëpënja ka siguruar autokombajnën menjëherë pas shkatërrimit të kooperativave bujqësore dhe prej më shumë se 30-vjetësh ai punon arat e fshatit Kozare dhe më gjerë.

Banorët e intervistuar, disa prej të cilëve edhe dëshmitarë në gjyqin ndaj Bektashit, shprehen se bashkëfshatari i tyre i ka siguruar të ardhurat me punë dhe jo me aktivitete të pista.

SPAK ka kërkuar të konfiskojë, për shkak të OFL, 7 pasuritë e Bektash Shtëpenjës, pasi djali i tij ka qenë i dënuar në Itali për drogë dhe prostitucion. SPAK kërkon konfiskimin e 1 sipërfaqeje toke, 1 garazhi, 2 apartamenteve, 2 mjeteve dhe 1 motori Harley Davidson.

Sipas SPAK, djali i Bektash Shtëpenjës, Andrea Dinga (Shtëpenja) është i dënuar më parë në Itali me 5 vite burg për trafikimin e lëndëve narkotike dhe nuk e justifikon pasurinë.