‘Fol si politikan europian’/ Pse u tërbua Edi Rama nga kjo fjali e bullgarëve

Ka një parim të pashkruar në Bashkimin Europian, që kur një vend vendos veton, kushdo që ka rezerva ndaj vendit që i është vendosur vetoja, nuk flet.

Kështu ndodhi edhe me Bullgarinë. Negociatat me Shqipërinë nuk u hapën, por afërmendsh çdokush e kupton se kjo situatë ka ardhur për shkak të problemeve të rënda në Shqipëri, që vetëm janë agravuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

“Unë mora mandatin e tretë dhe negociatat nuk janë hapur akoma,” tha Rama, duke shpalosur vetë realitetin e zi se fajtori është vetë ai për këtë situatë.

Miku i tij, Aleksandër Vuçiç e dekonspiroi në një intervistë kur tha se janë disa vende kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kurse gjermanët e CDU ishin shprehur pak më herët se ndaj Shqipërisë janë vendosur disa kushte që duhen plotësuar përpara se të hapen negociatat.

Por Edi Ramës i duhej të gjente fajtorin dhe ajo ishte Bullgaria. Për më shumë se dy ditë, lëshoi ndaj saj një përrua psikik që do kishte befasuar çdo njeri normal.

Reagimi i Bullgarisë erdhi vetëm të premten. Ministria e Jashtme publikoi një deklaratë të shkurtër, ku theksohej miqësia e ngushtë mes dy vendeve, ndërsa Edi Ramës i kujtojnë se politikanët ikin, kurse miqësia mes kombeve mbetet.

Por ajo që e tërboi Edi Ramën ishte fjalia ku atij i kërkohej të rregullonte gjuhën pas fyerjeve të pajustifikuara.

Sipas ministrisë, Ramës i mungojnë aftësitë komunikuese evropiane. Jo vetëm kaq, por Ramës i kërkohet që të përdorë një gjuhë të përshtatshme për një politikan evropian.

Këtu Rama sigurisht që do hidhej përpjetë. Ai pretendon se gjuha është mjeti i tij i fortë. Propaganda është gjithçka ka ai si njeri dhe si kryeministër.

Por bullgarët kanë prekur aty ku duhet. Ai jo vetëm nuk përdor gjuhën e një politikani evropian, por është në thelb një politikan lindor, një satrap oriental që i ka sytë më shumë nga Serbia dhe për rrjedhojë edhe nga Rusia.

Së bashku me Vuçiçin janë një dhe të ngjashëm në këtë drejtim.