E përdori si ‘zagar sulmi’ ndaj BE-së/ Vuçiç falënderon Ramën: Dole në krah të Serbisë, respekt!

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e samiteve të Bashkimit Europian ajo që ndodhi një ditë më parë.

Edhe pse ishte një samit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, në konferencën e përbashkët për shtyp u shfaqën vetëm tre vende: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ishte një situatë e pazakontë, pasi tre vendet e tjera nuk ishin në konferencë.

Por po ashtu, po kaq i rëndë ishte fakti se kryeministri shqiptar, Edi Rama vazhdoi sulmet e tij si një ‘qen gjahu’ i Serbisë.

Ai sulmoi BE-në në emër të Serbisë dhe shumë pak ose aspak foli për Shqipërinë.

Çdo shqiptar mund të ketë ngritur së paku vetullën kur shihte kryeministrin e tyre teksa fliste sikur të ishte zëdhënësi i Vuçiçit.

Nga ana tjetër ky i fundit, që nuk duhej të ishte fare në konferencë pasi vendi i tij ka hapur negociatat dhe nuk ka ndonjë problem me BE-në, përpos faktit që është ushtar i Putinit në rajon, sot ka falënderuar Ramën që i doli në krah Serbisë.

“Kjo është mënyra e vetme që ne të dëgjohemi, që kolegët tanë evropianë të na dëgjojnë. Unë i jam mirënjohës edhe Ramës dhe Kovaçevskit sepse ata ishin në krah të Serbisë, treguan respekt”, tha sot Aleksandar Vuçiç.

Historia gjykon ndoshta me vonesë, por një shërbim i tillë ndaj Serbisë dhe një skandal i këtyre përmasave nuk është parë në dekada.