Mediat e huaja: Edi Rama ia hoqi Ukrainës tapetin poshtë këmbëve

Disa nga mediat gjermane dhe angleze e kanë vënë theksin te komentet e Edi Ramës dje për Ukrainën.

Pas një shpërthimi me reagime kundër Bashkimit Europian, Rama iu drejtua ukrainasve. Ai u tha atyre se nuk duhet të presin gjë nga Bashkimi Europian.

“Është mirë që po i jepet statusi i kandidatit. Por shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë iluzione për këtë,” tha Rama.

Sipas rrjetit televiziv gjerman, N-TV, kjo deklaratë e Ramës ka mjegulluar misionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Ky i fundit ka marrë përsipër që t’i japë një impuls integrimit, duke e bërë Ukrainën dhe Moldavinë pjesë të saj.

Kurse gazeta britanike Express shkruan se Edi Rama i hoqi tapetin e kuq poshtë këmbëve Ukrainës duke paralajmëruar presidentin Zelensky të mos ketë iluzione për ofertën nga BE.

“Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate prej 17 vitesh, Shqipëria prej tetë vitesh, kështu që mirëseerdhe Ukrainë”, tha Rama.