Zbulohet paga e Lukakut tek Interi

“Sky Sport Italia” raporton se Romelu Lukaku mund të zbarkojë në Itali javën e ardhshme për të kryer testet mjekësore me Interin.

Lojtari belg do të rikthehet në “San Siro” në formë huazimi, me një kosto prej 8 milionë eurosh deri në vitin 2023.

Ai u shit 113 milionë euro te Chelsea më pak se një vit më parë.

“Sky Sport Italia” raporton se 29-vjeçari mund të jetë në Itali javën e ardhshme për të kryer testet mjekësore me zikaltrit.

Sipas raportit, ai do të heqë dorë nga 3.5-4 milionë euro neto për t’u rikthyer në “San Siro” pas 11 muajsh.

Ndërsa sipas “Il Corriere della Sera”, ai do të fitojë 8.5 milionë euro, teksa ishte në një marrëveshje 12 milionë euro në vit me Chelsean.

Lukaku shënoi 64 gola në 95 paraqitje me Interin gjatë periudhës së tij dyvjeçare nën drejtimin e Antonio Contes, por shënoi vetëm 15 gola në 44 paraqitje në “Stamford Bridge” sezonin e kaluar.

Ai nuk ishte në marrëdhënie të mira me Thomas Tuchel, ndërsa trajneri i Interit, Simone Inzaghi, mezi pret ta drejtojë atë sezonin e ardhshëm.

Tekniku italian u ka thënë disa miqve të tij më të ngushtë se Lukaku është sulmuesi më i mirë me të cilin ka punuar ndonjëherë në karrierën e tij.

Inzaghi e ka trajnuar Lukakun për vetëm një javë para transferimit të verës së kaluar te Chelsea.