‘Na ka marrë peng një vend anëtar i NATO-s’/ Rama lajthit në Bruksel

Kryeministri Edi Rama, i njëjti që pati deklaruar kur ishte në opozitë se NATO është si NATA dhe nuk i duhet kujt, bëri disa deklarata të çuditshme në Bruksel.

Me tone luftarake, siç ka folur zakonisht këto ditë për mediat e huaja, ai tha se Shqipërinë e ka marrë peng një vend i NATO-s.

Rama tha se nuk shpreson që të hapen negociatat, por shtoi se në kulmin e luftës në Ukrainë, po ndodh një pengmarrje mes shteteve të NATO-s.

“Po e përsëris përkundër optimizmit të ngritur të disa edhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por ndërkohë nëse do zgjidhet, do të jetë motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO të dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjerë që shohin si yjet”, u shpreh Rama.

Edhe në një postim në Twitter përpara kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama shprehu zhgënjimin dhe e konsideron turp për Europën veton bullgare.

“Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari! Sa turp për Evropën kjo çështja bullgare! Në mesin e një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Europës, një vend i NATO-s, rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qeta në një shfaqje të turpshme impotence!” shkruan Rama.

Kujtojmë se kryeministri shqiptar pati paralajmëruar bojkot të samitit të BE-së, por më pas ndërroi mendje.