Rusët shkatërrojnë një tjetër depozitë nafte, Kievi: Negociatat me Kremlinin, pas gushtit

Në ditën e 116 të luftës në Ukrainë, vijojnë përleshjet e ashpra mes trupave vendase dhe atyre ruse, të spostuara prej javësh në lindje të vendit.

Mbrëmjen e së shtunës, tre raketa të forcave ruse shkatërruan një tjetër depozitë të madhe karburantesh në Novomoskovsk, duke plagosur 3 persona dhe shkaktuar një dëm shumë të madh.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut e konsideron situatën si tepër të vështirë. Sipas tij, trupat ruse po bombardojnë 24 orë pa ndaluar, duke e bërë të pamundur evakuimin e civilëve, apo furnizimin e tyre me ushqime dhe ujë.

Megjithatë guvernatori Sergiy Gaiday i mohon lajmet që ushtria pushtuese ka marrë kontrollin e Severodonetsk. Zyrtari i lartë raporton se rezistenca ukrainase është në ballë të luftës dhe se shumë shpejt do të nisë një kundër ofensivë.

Edhe presidenti Zelensky përforcoi deklaratat e liderëve lokalë, se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të saj në lindje të vendit. Gjatë vizitës në Mykolaiv dhe Odesa, që konsiderohen si fronti i luftimeve, Zelensky iu bëri thirrje ushtarëve që të mos heqin dorë nga besimi që Ukraina do ta fitojë këtë luftë.

Megjithatë, e çuditshme ishte një deklaratë e mëhershme nga Kievi zyrtar, që bisedimet me Rusinë për paqe do të mund të rifillojnë vetëm pas gushtit, pas përfundimit të kundërofensivës së vendasve.