‘Na e futën kancerin në gjak’, banorët protestojnë për landfillin në Fier

Projekti i landfillit të Verrisë në Fier, është bërë mollë sherri në këshill bashkiak, ku të djathtët pasi nuk kanë marrë sqarim nëse ka ose jo leje për ndërtimin e impiantit nga Bashkia, kanë braktisur mbledhjen.

Kreu i këshilltarëve të djathtë njëkohësisht edhe kryetar i PD Fier, Luan Barçi në një takim me banorët e Verrisë ka pohuar se kryebashkiaku Subashi duhet të sqarojë çështjen e landfillit.

“Kryesore në ngritjen e këtyre impiante është pyetja e komunitetit. Komuniteti nuk është pyetur fare, por është bërë në mënyrë arrogante vendimi i këshillit bashkiak nga anëtarët e mazhorancës”, tha Barçi.

Ndërkohë banorët e Verrisë, kanë vijuar protestat para bashkisë, duke paralajmëruar përshkallëzim të protestave dhe moslejimin e ndërtimit të landfilli.

“Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet. Ne të vdekur jemi. Rrugë s’kemi, ujë s’kemi. Na e futën kancerin në gjak”, kanë thënë banorët.

Banorët e Verrisë kanë nënshkruar një peticion me mbi 1 mijë firma dërguar Ministrisë së Mjedisit, kundër projektit për impiantin e përpunimit të mbetjeve të Bashkisë Fier. /Ora News/