Intervista e plotë/ Stoltenberg: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite

Në fund të qershorit, krerët e NATO-s pritet të mblidhen për një samit në Madrid. BILD foli me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Edhe për sa kohë mund të mbrohet Ukraina kundër Rusisë?

Ukrainasit po mbrohen me guxim kundër pushtuesve rusë. Edhe pse lufta në Donbas po zhvillohet nga Rusia me brutalitet në rritje, ushtarët ukrainas po bëjnë rezistencë të guximshme. Me armë më moderne, gjasat do rriten që Ukraina të jetë në gjendje të dëbojë përsëri trupat e Putinit nga Donbasi.

Në asnjë rrethanë, Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore nuk duan të bëhen palë në luftë. A ka rrezik përshkallëzimi nëse NATO përfshihet shumë?

NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për vetëmbrojtjen e saj, por nuk është pjesë e konfliktit. Ne po ndihmojmë vendin, por nuk do të dërgojmë ushtarë të NATO-s në Ukrainë. Ne kemi forcuar mbrojtjen tonë me 40 mijë trupa nën komandën e NATO-s. ne sigurojmë territorin e aleancës në tokë, në det dhe në ajër. Ky është një mesazh i qartë për Moskën, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime rreth gatishmërisë sonë.

A duhet të kemi frikë nga bombat bërthamore të Putinit?

Ne nuk shohim një nivel më të lartë gatishmërie te forcat bërthamore ruse. Megjithatë, ekspozimet bërthamore të Rusisë janë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Putini duhet ta dijë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të bëhet kurrë. Sinjali ynë i qartë për Rusinë është ky: NATO mbron të gjitha vendet anëtare.

Ju thoni se duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë. Sa do të zgjasë ajo?

Askush nuk e di. Duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës. Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Por kjo nuk krahasohet me çmimin që ukrainasit duhet të paguajnë çdo ditë me shumë jetë njerëzish. Dhe nëse Putini nxjerr mësimin nga kjo luftë se ai mund të vazhdojë siç bëri pas luftës së vitit 2008 në Gjeorgji dhe pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, atëherë ne do të paguajmë një çmim shumë më të lartë.

Në samitin e NATO-s në fund të muajit në Madrid do të vendoset një koncept i ri strategjie. Deri më tani, Rusia është përmendur si një partner. Si do trajtohet Rusia nga NATO në të ardhmen?

Nëse bota ndryshon, ndryshon edhe NATO. Dhe bota është bërë më e rrezikshme. Ne do të deklarojmë se Rusia nuk është më një partner, por një kërcënim për sigurinë tonë, për paqen dhe për stabilitetin. Kina gjithashtu do të shfaqet për herë të parë në dokument. Sepse ngritja e Kinës është një sfidë për interesat, vlerat dhe sigurinë tonë.

Finlanda dhe Suedia duan të anëtarësohen në NATO, Turqia ka rezerva. Si do zgjidhet kjo situatë?

Kërkesat për anëtarësim janë një moment historik që ne duhet ta shfrytëzojmë. Pranimi nuk do të forconte vetëm Finlandën dhe Suedinë, por të gjithë ne. Turqia është një vend i rëndësishëm i NATO-s me rëndësi strategjike mes Europës, Rusisë, Irakut dhe Sirisë. Vendet e NATO-s, Suedia, Finlanda dhe BE-ja e klasifikojnë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit si një grup terrorist. Asnjë vend i NATO-s nuk ka vuajtur kaq shumë nga terrori sa Turqia. Kjo është arsyeja pse ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e Turqisë dhe po bëjmë gjithçka mundemi për t’i trajtuar ato.