Atentatet dhe porositë për vrasje/ Nuredin Dumani për herë të parë në SPAK, përballet me Erion Alibejn

Nuredin Dumani shfaqet për herë të parë në SPAK për tu ballafaquar me erion Alibejn, për të cilin, në dëshminë e tij, ka rrëfyer më herët se ka porositur vrasjen e një efektivi policie në Elbasan. Përveç Dumanit e Alibejt, në SPAK është thirrur për të dëshmuar edhe Henrik Hoxhaj. Marrja në pyuetje e tyre bëhet kryesisht për të rikonfirmuar ose jo dëshmitë e mëparshme, ndërsa ka zgjatur për më shumë se 8 orë.

Syri Tv

Rreth orës 9 të mëngjesit të të Premtes forca të shumta policie kanë mbërritur në spitalin e burgut ku kanë nxjerrë prej aty Nuredin Dumanin. Ky i fundit ka shkelur për herë të parë në SPAK, për t'u ballafaquar me Erjon Alibejn, pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë se ai ka prorositur ekzekutimin e Krenar Guçe, në atë kohë me detyrë shef i sektorit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit, i cili së fundmi është marrë në mbrojtje.

Fotografia e tij u gjet në telefonin e Dumanit, i cili ka treguar një listë me emra dhe foto që prisnin të ekzekutoheshin. Dumani është marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK në lidhje me ato që ka deklaruar dhe nëse i qëndron atyre që ka rrëfyer më parë.

Përveç Dumanit e Alibejt, edhe bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Henrik Hoxhaj ka mbërritur në SPAK, i cili është marrë në pyetje për të rikonfirmuar ose jo deklarimet e mëparshme.

Dumani ka rrëfyer më herët se nga Alibej i kishte mbërritur një fotografi e ish-efektivit të Elbasanit, aktualisht me detyrë specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas Dumanit, Erion Alibej donte të hakmerrej ndaj personave që shkaktuan masakrën e Bradasheshit, ku u vranë vëllai dhe xhaxhai i Alibejt si dhe një shtetas turk.

Masakër e cila solli në qytetin e Elbasanit një sërë vrasjesh e atentatesh. Për këtë ngjarje, Krenar Guçe mori në pyetje një të ri, gjë e cila hodhi dritë mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Renis Runajt. Ndërkohë që pas kësaj, bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë Klevis Alla zbardhi edhe dy ngjarje të tjera në Durrës me 4 viktima.

Erion Alibej aktualisht ndodhet në burg me dyshimet se ka porositur vrasjen e Ramazanit dhe Runajt, krim për të cilin dëshmoi edhe Dumani. Dëshmitë e të Premtes dhe ballafaqimi mes Alibejt, Dumanit e Hoxhës, mbahen të rezervuar nga prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH-së, ndërsa kanë zgjatur për më shumë se 8 orë.