Eurodeputeti Fleckenstein: Opozita të kthehet në Kuvend, mazhoranca të bashkëpunojë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar deklaratën e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein në lidhje me protestën e opozitës.

Sipas deklaratës, Fleckenstein i bën thirrje opozitës që të rikthehet në Parlament dhe të heqë dorë nga bojkoti i Kuvendit.

Eurodeputeti thotë gjithashtu se qeveria, mazhoranca dhe opozita duhet të dialogojnë dhe të bashkëpunojnë me OSBE-ODIHR për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në 18 qershor.

Këtë deklaratë të Fleckenstein, Kryeministri Edi Rama e ka publikuar në Facebook-un e tij duke sulmuar sërish opozitën se kush po gënjen për mbështetje ndërkombëtare.

Statusi në Facebook i Kryeministrit Edi Rama:

KUSH GENJEN? (2)

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein:

“E vetmja gjë për të cilën nuk jam dakord është bojkotimi i Parlamentit. Deputetët janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët brenda institucioneve shtetërore. Ata duhet që të kthehen në vendin e tyre të punës. Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, kam dëgjuar thirrjen e opozitës për një qeveri teknike.

Nuk e kuptoj se sa ky propozim do të kontribuojë në përmirësimin e situatës politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Maqedonia është në një krizë të thellë politike që tashmë e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, reputacionin ndërkombëtar dhe perspektivën e saj për integrimin evropian.

Fatmirësisht, Shqipëria është në një situatë shumë ndryshe.

Zbatimi i reformës së gjyqësorit do ta çojë Shqipërinë përpara procesit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata që përpiqen ta bllokojnë ose pengojnë këtë reformë efektive dhe të besueshme, bllokojnë nisjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në BE.

Unë i bëj thirrje opozitës që të rinisë punën e saj në Parlament. I bej apel qeverisë, Parlamentit, mazhorancës dhe opozitës, të bashkëpunojnë ngushtësisht me OSBE-në dhe ODIHR, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhje demokratike. Ato duhet të jenë të denja për një anëtar të ardhshëm të Bashkimit Evropian".