‘Negociatat nuk hapen’/ Rama mbron Serbinë: Mos i bëni presion Beogradit

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për portalin Politico, ku pranon se negociatat me Bashkimin Europian nuk do hapen.

“Nuk kam pritshmëri. Mendoj se nuk do ndodhë gjë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do hapin formalisht bisedimet e anëtarësimit,” tha Rama përpara samitit të BE-së javën tjetër.

Ai fajësoi Bullgarinë për këtë situatë. Rama tha se Shqipëria do të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut, por portali shkruan se kjo lëvizje nuk pëlqehet nga Bashkimi Europian.

Më tej, Rama shprehu mbështetje për projektin e presidentit francez, Emmanuel Macron për krijimin e Komunitetit Politik Europian, një organizatë e hapur për vendet anëtare dhe jo-anëtare të BE-së. Rama e quajti këtë një ide vizionare.

Si zakonisht, Rama mori në mbrojtje Serbinë për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Ju duhet ta kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të vështirë për shkak të historisë dhe për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”.

Ai tha se Serbia do u bashkohet sanksioneve me kalimin e kohës, por kërkoi që të mos i bëhet presion Beogradit, që është shumë i varur nga Moska për furnizimin me energji.

“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që ne duam. Por më besoni, skenarët e tjerë janë shumë më të këqinj për këdo dhe veçanërisht për këtë rajon,” tha Rama.