‘Çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Kosovës’/ Presidenti Meta kujton Ditën e Çlirimit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kujtuar 23-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se sot çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Kosovës, si faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë ditë historike thotë Kreu i Shtetit, nderojmë vizionin strategjik të Presidentit Ibrahim Rugova. Ndërsa shpreh mirënjohje për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA-ve dhe vendeve demokratike mike.

Presidenti thekson se Kosova është shembull frymëzues i ndërtimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.

“Sot në Ditën e Çlirimit, çdo shqiptar i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, shembull frymëzues i ndërtimit të demokracisë dhe shtetit ligjor, që meriton sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, përfituese e liberalizimit të vizave, anëtare e Këshillit të Europës, si dhe çdo organizate ndërkombëtare.

Në këtë ditë historike nderojmë vizionin strategjik të Presidentit Ibrahim Rugova, rezistencën e lavdishme të UÇK, heroizmin legjendar të Komandantit Adem Jashari dhe sakrificat e çdo shqiptari që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë.

Mirënjohje dhe thellësisht falenderues për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA-ve dhe vendeve demokratike mike, që i dhanë fund genocidit, kurorëzuan aspiratën shekullore për liri dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë afër Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese europiane dhe euro-atlantike”, shkruan Presidenti Meta.