Rama pyet fermerët, sa bëjnë 200 shumëzim për 2000 dhe i del supervjedhja në legalizime

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Goranxit në Gjirokastër, mund të mos ketë qenë siç mund ta ketë planifikuar kreu i qeverisë, pasi është përballur me kërkesa të shumta, kryesisht për tokën, të cilat kanë sjellë edhe përplasjen e tij me kreun e ALUIZNI-t në Gjirokastër.

Paqartësitë nisën kur një fermer i tha kryeministrit se i kërkonin 9 milion lekë të reja për të legalizuar dy stalla nga 2 mijë m2. Rama i kërkoi drejtorit të ALUIZNI¬t të Gjirokastrës nëse kishte dijeni për rastin dhe si ishte gjendja. Drejtori tha se nuk ishte në dijeni të kësaj shume, por shtoi se në zonën ku ishte stalla legalizimi kishte një kosto 200 lekë të reja për metër katror.

Rama kërkoi ndihmën e fermerëve për të llogaritur shumën që duhej për legalizimin e stallave. “Sa bëjnë 200 herë 2000”, tha ai duke iu referuar 200 lekë metri katrorë çmimit të caktuar nga shtetit dhe sipërfaqes prej 2 mijë metrash katrorë që do të merrte fermeri. Për një çast pati një hezitim nga ana e fermerëve por më pas ranë dakord se bëhej fjalë për 4 mln lekë të vjetra një stallë.

Fermeri, inxhinier me profesion tha se i kishin kërkuar 9 mln lekë të reja për të dy stallat.

Rama i ka kërkuar drejtorit të legalizimeve që të hënën t’i bënte legalizimin e dy stallave. Fermerit, në të kundërt i tha se të martën do të ishte fermeri që do t’i zinte vendin drejtorit, aq më tepër që ishte dhe inxhinier.

“Të dy stallat do t’i legalizosh të hënën dhe të hënën do më çosh mesazh u bë. Bëje se ndryshe të martën bëhet ai drejtori i ALUIZNI-t. Drejtor u kuptuam. Të hënën mbyllet kjo histori me llogarinë që u bë këtu , se mos shkon me ndonjë llogari tjetër. Edhe në Manhatan ta kishe stallën nuk do bënte aq”, tha Rama.

Ndërkaq drejtori i ALUIZNI-t e ka kërkuar fjalën sërish por Rama i ka thënë se e merr fjalën vetëm të martën. “Ça të thuash mo. Ti ditën e martë e merr fjalën”, iu drejtua kryeministri.