Pagat/ Përleshje e veteranëve të UÇK me policinë para Kuvendit të Kosovës, hidhet gaz lotsjellës

Prishtinë - Vazhdon të agravohet protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së përpara Kuvendit të Kosovës, shpërthyer për shkak të përjashtimit me ligj të kësaj kategorie nga rritja e re e pagesës minimale që pritet të votohet sot nga deputetët.

Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të Policisë dhe kanë tentuar t’i thyejnë dyert e Kuvendit. Por, Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, për të mos lejuar hyrjen në parlament.

Protestuesit më pas, sipas Syri net Kosova, filluan të hedhin ofendime ndaj Kryeministrit Albin Kurti si “Thirreni Albin ku***n!” dhe në të njëjtën kohë të thërrisnin emrin e ish Presidentit Thaçi.

Njeri nga veteranët u rrëzua në tokë për shkak të një sprajti lëshuar nga Policia:

11:40 - Dardan Molliqaj edhe tek protesta e veteranëve

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj është bashkuar me veteranët në protestën ndaj Qeverisë së Kosovës. Ish-krahu i djatht i Albin Kurtit dikur, sot po proteston ndaj ish-shefit të tij.

Veteranët po protestojnë duke kërkuar që të jenë pjesë e pagës minimale në Ligjin për Paga.

11:36 - “Me kategoritë e lirisë, sot e për mot”, Haradinaj në mbështetje të veteranëve

Ndër veteranët po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka dalë në mbështetje përmes një postimi në rrjete sociale. Ai postoi një fotografi në Facebook, duke shkruar: “Me kategoritë e lirisë, me Veteranët, sot e për mot”. Ndërkohë, situata tek Kuvendi ka eskaluar pasi veteranët kanë tentuar të thyejnë derën.

11:32 - Veteranët brohorasin emrin e ish-Presidentit Thaçi para Kuvendit, nuk mungojnë ofendimet ndaj Kurtit

Ka avancuar protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së, e cila po zhvillohet para objektit të Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë tentuar t’i thyejnë dyert e Kuvendit - raporton Syri.net.  Policia e Kosovës ka gjuajtur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Protestuesit më pas filluan edhe me ofendime ndaj kryeministrit Kurti duke borohoritur “Thirreni Albin ku***n”, ku në të njëjtën kohë edhe thërrisnin emrin e ish Presidentit Thaçi.

11:25 - Ish-komandanti i jep fjalën veteranit: Nuk kalon projektligji pa luftuar në Kuvend unë

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha doli para veteranëve të UÇK-së që po protestojnë para Kuvendit, për t’iu kërkuar që të mos e dëmtojnë këtë institucion. Ish-komandanti i UÇK-së bisedoi me disa veteranë, duke i siguruar se do të bëjnë çmos që projektligji i cili e përcakton pagën minimale të mos kalojë pa u shqyrtuar edhe përfshirja e tyre në të. Ndër tjrash, Berisha i tha njërit se do të luftojë në Kuvend për të mos lejuar miratimin e këtij projektligji.

“Besën e ke, nuk kalon pa luftu në Kuvend unë”, tha ai. Deputeti iu tha veteranëve që t’i lirojnë hapësirat përpara Kuvendit dhe të mos dëmtojnë asgjë. “Lëreni ta bëjmë luftën ne në institucion”, tha ai.

11:20 - Arrijnë autoblindat dhe topi i ujit te protesta e OVL-UÇK

Forca të shumta të Njësisë Speciale bashkë me autoblindë dhe topa të ujit janë duke qëndruar afër protestës së tensionuar te Kuvendi i Kosovës. Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po tentojnë të hyjnë brenda Kuvendit. Aktualisht ata janë në afërsi te dera e këtij ndërtesës së këtij institucioni.

11:15 - Hisen Berisha lutje veteranëve mos dëmtoni asgjë: Kjo Kosovë është e jona, mos e prekni

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha në protestën e veteranëve të UÇK-së, është parë duke i qetësuar protestues dhe duke u përpjekur t’i bind që të mos thyen e as hyn me forc në Kuvend. “Unë që po ju flas jam Hysen Berisha, na nuk jemi pak ne jemi shumë. Ne e kemi sjell lirinë dhe e kemi bërë shtetin. Keni të drejtë në çdo gjë por një duhet ta dini se kjo Kosovë duhet të ruhet. Mos i dëmtoni institucionet”, deklaron ai.

11:02 - Zhvillimi i fundit: Një polic lëndohet në protestën e veteranëve brenda oborrit të Kuvendit

Një polic është lënduar gjatë protestës që po mbahet në Kuvendin e Kosovës nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky zyrtar policor është parë të jetë i gjakosur derisa bashkë me njësitë tjera, po tentojnë të mbajnë rendin në oborrin e Kuvendit. Pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ambulanca.

10:59 - Klinaku: Jemi injoruar nga institucionet dhe u detyruam që kërkesat tona t’i paraqesim në rrugë

Veteranët e luftës së UÇK-së janë mbledhur sot para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për mos përfshirjen e tyre në ngritjen e pagës minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se përshkak se janë injoruar nga qeveria, kanë vendosur që të protestojnë në rrugë.

“Nga ana e qeverisë na është sakatosur ligji. Ne po protestojmë kundër diskriminimit që po na bëhet. Deputetët duhet t’i shërbejnë qytetarëve dhe jo politikave. Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe u detyruam që kërkesat tona t’i paraqesim në rrugë”, deklaron ai

10:55 - Policia hedh gaz lotsjellës

Përshkallëzohet protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së, të cilët janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste të mos përfshirjes së tyre në ngritjen e pagës minimale. Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të pjesëtarëve të Policisë, të cilët kanë tentuar t’i thyejnë dyert e Kuvendit.

10:10 - Nis protesta e veteranëve para Kuvendit, numër i madh i pjesëmarrësve

Veteranët e luftës së UÇK-së kanë filluar protestën para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste të mos përfshirjes së tyre në ngritjen e pagës minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.

Të pranishëm janë një numër i madh i protestuesve.