Dule - Ramës: Mos dërgo marioneta, eja fol vetë me himariotët

Vangjes Dule, kryetari i PBDNJ-së, i ka kërkuar kryeministri nisë dialogun vetë me himariotët që protestojnë për çështjen e pronave të tyre dhe të mos ia lërë në dorë këtë të zgjedhurve vendorë ose marionetave, sië i ka konsideruar Dule sot në deklaratë.  

Dule tha: "Sot paradite banorët e  Himarës protestuan përsëri përpara Bashkisë, për të drejtat e tyre themelore: të pronës, të mbrojtjes së trashëgimisë së tyre kulturore dhe  bukurisë natyrore të zonës dhe perspektivës së zhvillimit të saj.

Sërish, kërkesat e tyre për dialog dhe transparencë gjetën përballë  dyert e mbyllura të Bashkisë dhe heshtjen prepotente të z. Goro.

PBDNJ shpreh solidaritetin e vet të plotë  me kërkesat legjitime të  banorëve dhe i drejtohet Kryeministrit Rama të nisë pa humbur kohë, personalisht dhe jo nëpërmjet marionetave të tij lokale, dialogun konstruktiv me komunitetin për t'u dhënë zgjidhje problemeve jetike të dhënies së titujve të pronësisë pronarëve  të ligjshëm dhe regjistrimit të pronës, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe bukurisë natyrore, hartimit te një plani  zhvillimi  real të infrastrukturës së munguar të zonës që do të garantojë perspektivën e kësaj perle turistike, me komunitetin dhe për komunitetin, dhe jo në shërbim të interesave ilegjitime, abuzuese dhe korruptive të grupeve të fuqishme ekonomike. 

Z. Rama duhet të braktisë, sa nuk është vonë, politikat selektive, klienteliste dhe paragjykuese ndaj Himarës dhe himarjotëve.

U drejtohemi gjithashtu  forcave politike dhe gjithë qytetarëve të vendit për solidarizim me banorët e Himarës në përpjekjen e tyre për të ndaluar implementimin e planit të mbrapshtë që ka për qëllim grabitjen e pronës së tyre. Suksesi i këtij plani do të ishte precedenti me ogurzi për çdo pronar të ligjshëm dhe qytetar të lirë të vendit.

Për çfarë përafrimi me realitetet europiane mund të aspirohet në vendin tonë në kushtet e arrogancës qeveritare, mungesës totale të dialogut dhe transparencës, imponimit  të ilegjitimes nëpërmjet dhunës shtetërore?!"