Çnderim i mëmësisë

Deputetet e Partisë Socialiste, para se të jenë deputete janë gra dhe nëna. Në votën kundër rezolutës që dënon gjenocidin në Sebrenicë kanë kryer as më pak dhe as më shumë, veçse çnderimin e mëmësisë.

Të gjitha këto gra kanë fëmijët e tyre dhe i paçin me jetë të gjatë. Hipotetikisht, nëse dikush do t'i thoshte një gjysmë fjale te keqe pa të drejtë për fëmijët e tyre, do të revoltoheshin pa masë ashtu siç do të bënte çdo nënë.

Pyetja që lind në këtë rast është ; Po sikur dikush larg qoftë dhe kurrë mos ndodhtë, t'u vriste fëmijët, çfarë do të bënin?!

Historia e mëposhtme ( marrë nga profili i Jeton Zenunit)  është pasqyra ku duhet të shihen deputetet e Partisë Socialiste e pasi të jenë parë, të kuptojnë se pasqyrimi i tyre nuk është gjë tjetër veçse pasqyrimi i disa sorrave që ushqehen me beben e syrit të një foshnjeje që kullon gjak në krahët e së ëmës.

"Unë isha 22 vjeçe kurse vajza ime 2 vjeçe, trëndafili im i vogël. Ata na vendosën në autobusë, vetëm ne gra dhe vajza dhe thanë që asgjë nuk do të ndodhte me ne. Udhëtimi zgjati shumë, autobusi ishte plot, vajza ime e vogël po qante, duhet të ketë qenë e uritur, e etur. Pastaj m'u afrua një ushtar, një nga ata çetnikët, ndonëse u soll mirë me mua, më pyeti se çfarë kishte vajza ime, pse po qante. "Nuk kam asgjë për t'i dhënë-, iu përgjigja.

Ai e mori fëmijën nga dora ime dhe tha që do ta ushqente me diçka dhe do të ma kthente prapa. U gëzova shumë, por përsëri kisha dyshime. Më pak se dhjetë minuta më vonë, ai hipi përsëri në autobus me vajzën time të vogël. Dëgjoj, ajo nuk qan më. Duhet ta ketë ushqyer mirë, me të vërtetë akoma ka njerëz të mirë, mendova. Ai e vendosi atë përsëri në krahët e mi dhe vetëm më tha: "Tani vajza juaj nuk do të qajë më".

Ai nuk e ushqeu trëndafilin tim. Ai e theri atë. Dhe ashtu të masakruar, plot gjak, e ktheu tek unë".