Momente tmerri, mbrojtësi brazilian i shpëton një shkëmbimi zjarri gjatë grabitjes

Futbollisti i Brazilit, Emerson Royal ra pre e grabitjes në vendlindje para një klubi nate.

Emerson, i cili shkoi në shtëpi për pushime pas sezonit, i mbijetoi një grabitje të armatosur në qytetin e Americana në shtetin e Sao Paulo-s. Kur po dilte nga  një klub nate, ai u njoh nga një oficer policie jashtë detyrës, i cili i kërkoi të bënin  një foto.

Mbrojtësi i djathtë i Tottenham-it ia plotësoi dëshirën dhe foli me të dhe kur shkoi tek makina në parking, një grabitës iu afrua, i vodhi orën dhe gjerdanin dhe i kërkoi sende të tjera me vlerë duke i drejtuar armën.

Polici e pa të gjithë skenën, nxori armën dhe vrapoi drejt parkingut për të mbrojtur Emerson. U shkrepën mbi 29 plumba  mes grabitësve dhe punonjësit të policisë.

Oficeri i policisë arriti ta godasë grabitësin, i cili më pas u dërgua në spital.

Emerson u fsheh gjatë të shtënave dhe kaloi pa lëndime.

Lojtari përfundoi në komisariat ku bëri kallëzimin e rastit. “Ishte një moment i komplikuar, por tani do të pushoj dhe më pas do të them versionin tim”, janë fjalët e tij për “Globo” në Brazil.