Këlliçi: PD u rithemelua, nisim opozitën frontale me Ramën

Deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi nga Rotterdami për emisionin 'A Show' në Syri Tv se këtë javë përfundon cikli i të gjitha zgjedhjeve e zhvillimeve të brendshme në Partinë Demokratike.

Këlliçi deklaroi nga kongresi i PPE se PD në qershor do i rikthehet opozitës frontale me Edi Ramën, ndërsa shtoi se ky i fundit dhe ministrat e tij janë të shqetësuar nga opozita pa kompromis.

"Formatohet ekipi përfundimtar, formatohen me sekretariate, nënkryetarë. Nga qershori Partia Demokratike i rikthehet opozitës frontale me Edi Ramën.

Jo se nuk e kemi bërë, por e tillë ishte situata. U mor partia nga zero, nga hiçi, u rithemelua një forcë politike nga e para.

Një zinxhir zgjedhjesh, procesesh, organizimesh që kërkuan kohë për tu bërë në mënyrë korrekte e transparente."-deklaroi Këlliçi.

Më tej ai theksoi se proceset zgjedhore, sidomos ai i Kryesisë së PD që u bë së fundmi në selinë blu, ia kaloi edhe procesit të përgjithshëm zgjedhor për nga transparenca.

“Gjithçka reale, u ndoqën live. Këto e shqetësuan Ramën. Qeveria, Rama, Balla, sot janë të axhituar, sepse është rikthyer një opozitë pa kompromis.”-tha Këlliçi.