VIDEO-SYRI TV/ Greva në Albcontrol, zbulohen shkeljet e Këshillit Mbikëqyrës

Greva e kontrollorëve të Albcontrol është shkaktuar nga vendimet e gabuara të drejtuesve. KLSH ka audituar këtë institucion ku rezulton se drejtuesit e tij kanë vazhduar të shpërblehen me paga të majme, ndërsa për punonjësit u vendos ulja e pagës dhe përdorja e forcës policore ndaj çdokujt që kundërshtonte

SYRI TV

Kriza e kontrollorëve të trafikut ajror në prill të vitit 2021 është shkaktuar nga një vendim i gabuar i Këshillit Mbikëqyrës të Autoritetit shtetëror të Transportit Ajror.

Drejtuesit e shoqërisë Albcontrol vendosën reduktimin e pagave të punonjësve për shkak të Covid-19, në kundërshtim me kontratën kolektive dhe pa u mbështetur në aktet që rregullojnë veprimtarinë e institucionit.

Këto konkluzione ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të publikuar së fundmi për aktivitetin e tre viteve të fundit të shoqërisë Albcontrol.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vendimi për uljen e pagave për një periudhë të pacaktuar është përtej këtij afati dhe si rrjedhojë i pambështetur në përcaktimet dhe klauzolat e kontratës kolektive

Por, ndërkohë që ka pasur reduktim pagash për punonjësit, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk janë treguar aq të ngurtë për rrogat e tyre.

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar se anëtarët e Bordit drejtues, megjithëse mund të mos kenë marrë pjesë në mbledhje të Këshillit ose kanë marrë pjesë në një numër të kufizuar mbledhjesh, ata janë paguar me rroga mujore rregullisht.

Fondi i pagave për 7 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Albcontrol” vetëm për 4 mbledhje në vit përllogaritet në mbi 60 milionë lekë të vjetra.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës në shkelje të kontratës shkaktoi grevën e kontrollorëve ajrorë, e cila u mbyll nga qeveria “Rama” me forcën policore dhe arrestimin e disa punonjësve.