Edhe një tjetër gazetare ukrainase në Kosovë

Gazetarja ukrainase, Daria Meshcheriakova, ka arritur në Kosovë, prej ku do të mund të ushtrojë profesionin e saj nga distanca, pasi është larguar nga shteti i saj që po përballet me pushtimin rus.

Meshcheriakova është gazetarja e katërt që strehohet në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

“Meshchriakova është e specializuar për raportim në fushën e sportit dhe është njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë dhe rajon”, tha Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, teksa njoftoi se gazetarja ukrainase arriti në Kosovë pasditen e 30 majit.

Në Kosovë më 17 prill arriti gazetarja, Lyudmila Makeyn, ndërkaq më 22 maj arritën edhe gazetarët, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh.

Programi “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë” është iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Ekzekutivi kosovarë ka thënë se do të strehojë 20 gazetarë dhe në mars ndau 150,000 euro për strehimin e tyre.

Gazetarëve ukrainas që strehohen në Kosovë për një periudhë gjashtëmujore, u mundësohet pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.