Pas 20 ditësh në SHBA dhe Zvicër, Albin Kurti me në fund kthehet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Kosovë pas dy vizitave zyrtare që i ka pasur në ShBA dhe Zvicër.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Po, sot ka mbërritur në Kosovë”, është shprehur Kryeziu, raporton Klankosova.tv.

Kurti ka qëndruar 20 ditë jashtë Kosovës, ku për dy javë qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa afro një javë në Zvicër.

Gjatë vizitës së tij në ShBA, kreu i qeverisë kosovare është takuar me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, drejtues të kompanive të mëdha dhe komunitetin shqiptar që jeton atje.

E në Zvicër, ku shkoi direkt nga ShBA-ja, kryeministri Kurti mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, ku u takua me liderë të ndryshëm.

I pari i Qeverisë së Kosovës në Zvicër u takua edhe me zëvendëspresidentin Alain Berset, derisa as në këtë vend nuk e la pa takuar mërgatën shqiptare dhe përfaqësues të bizneseve.

Në ndërkohë, Abin Kurti në Kosovë u kritikua nga opozita për qëndrimin e gjatë jashtë vendit derisa takimet e tij i cilësuan si të zbehta.