Ibrahimovic rrëfen kalvarin e vuajtjeve: Kam bërë mbi 20 injeksione, në kokë kisha vetëm një mendim!

Zlatan Ibrahimovic i është nënshtruar me sukses një operacioni në gju ditën e sotme dhe pas kësaj ka dërguar një mesazh prekës për fansat e tij.

Është folur shumë muajt e fundit për gjendjen shëndetësore të Ibrahimovic, por ai vendosi të shtyjë operacionin në gju deri në fund të sezonit, sepse donte të ngrinte trofeun e kampionit në Itali.

Sot në një mesazh prekës Zlatan ka ndarë gjithçka që ka në mendje.

“Në gjashtë muajt e fundit, praktikisht kam luajtur pa ligamentin e gjurit të majtë. Gjurin e kam të fryrë prej gjashtë muajsh dhe në këto muaj vetëm në dhjetë raste ia kam dalë të stërvitem me skuadrën. Në gjashtë muaj kam kryer më shumë se 20 injeksione në muaj dhe e kam ulur fryerjen e gjurit vetëm në një rast në gjashtë muajt e fundit.

Nuk më zinte gjumi prej dhimbjeve në gju, nuk kam vuajtur ndonjëherë kaq shumë si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Bëra të pamundurën dhe në kokën time kisha vetëm një mendim; t’i bëja shokët e skuadrës dhe trajnerin kampionë të Italisë sepse iu kisha bërë një premtim. Tashmë, kam një ligament të ri, por edhe një tjetër trofe”, u shpreh Ibra.

Ibrahimovic ka fituar 12 tituj në Itali, Francë, Spanjë dhe Holandë dhe ende nuk ka vendosur nëse do t'i japë fund karrierës së tij të madhe si 40-vjeçar.