VIDEO/ Droga vazhdon lumë, brenda pak orësh kapen 646 kg kanabis e mijëra rrënjë duke u tharë

Mijëra rrënjë kanabis sativa janë gjetur gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia në disa zona të vendit, ndërsa janë sekuestruar të paktën 646 kilogramë kanabis sativa. Siç bëhet e ditur aksionet janë zhvilluar në Vlorë, Tepelenë, Krujë, ku edhe janë vendosur në pranga disa persona.

Kështu në Vlorë janë sekuestruar 41 kg lëndë narkotike marijuanë. Në pranga është vënë Fredinant Mile, 47 vjeç, lindur në Fier, banues në Vlorë.

Policia e Vlorës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të autorit në katin e parë të pallatit, në lagjen "Ujë i ftohtë" Vlorë.

Aksioni në Vlorë

Ndërkaq në Kurvelesh të Tepelenës janë zhvilluar dy operacione, ku janë gjetur 520 kg lëndë kanabis sativa. I arrestuar është Astrit Selmani, 34 vjeç, banues në Borsh, Sarandë.

Aksioni në Kurvelesh

Ndërkaq në Krujë janë sekuestruar 85 kg kanabis, 1100 bimë në proces tharje dhe 1900 të mbjella. Në pranga janë vënë 2 person dhe në hetim është vënë një tjetër person.

Kontrollet janë bërë në në fshatin Kameras, Krujë kanë konstatuar bimë kanabis dhe ambiente që shërbenin për tharjen e tyre.

Në brendësi të këtyre ambienteve u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit e mëposhtëm:

Edrin Sulaj, 22 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin;

E. C., 17 vjeç banues në Krujë.

Gjithashtu filloi procedimi penale në gjendje të lirë në ngarkim të B. K., banues në Arrameras.

Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

103 pako me mbështjellëse plastike të mbushura me material bimor të thatë të dyshuar si lëndë narkotike kanabis sativa me peshë rreth 85 kg;

1 100 bimë narkotike në proces tharje të dyshuara të llojit kanabis sativa dhe

800 bimë narkotike të kultivuara të dyshuara të llojit kanabis sativa.

Gjithashtu është ushtruar kontroll edhe në fshatin Kurcaj, Krujë ku janë konstatuar 4 ambiente të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike.

Në këto ambiente janë gjetur të varura degëza me boçe të pastruara nga gjethet e kanabis sativa dhe 1100 bimë narkotike të kultivuara të dyshuara të llojit kanabis sativa.

Aksioni në Krujë