Diplo reagon në rrjetet sociale rreth pjesëmarrjes në 'Sunny Hill Festival'

Dj me famë botërore, Diplo, duket super i lumtur për pjesëmarrjen e tij në “Sunny Hill”.

Festivali që u mbajt për herë të parë në vitin 2018, pas një pauze për shkak të Covid-19, do rikthehet me shumë artistë ndërkombëtarë, si  Skepta, AJ Tracey dhe Diplo.

Diplo njihet për karrierën si DJ, producent dhe tekstshkrues. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e “Sunny Hill”, e cila në një njoftim shkruan: “Sunny Hill Festival do të jetë elektrik. Legjenda e zhanrit elektronik dhe dance Diplo. Si një artist i nominuar dhjetë herë për Grammy, Diplo është themelues i muzikës elektronik dance”.

Dj po ashtu u shpreh i lumtur për ardhjen në trojet shqiptare në një status në Instastory. Ai publikoi në Instastory postimin dhe shkroi: “Kush do të vijë me mua në Shqipëria”. Diplo shquhet për një sërë projektesh të suksesshme përfshirë edhe bashkëpunimin “Electricity” me këngëtaren shqiptare, Dua Lipa.

Disa muaj më parë Dua, e cila është njëkohësisht vajza e organizatorit të festivalit, Dukagjin Lipa, konfirmoi se “Sunny Hill” do të rikthehet këtë vit me një organizim të veçantë. “Një vend ku mezi pres të kthehem është Shqipëria e Jugut. Shkova për dy javë verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë me Greqinë dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po përpiqem të bëj sa më shumë njerëz të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë: dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre se si janë këto vende. Festivali ynë ‘Sunny Hill’ do të përsëritet në Kosovë në gusht të këtij viti, dhe më pas do të kthehem me siguri në Shqipëri”, tha 26-vjeçarja në një intervistë për Financial Times.

“Sunny Hill” është kthyer në një festival të rëndësishëm ku bashkohen artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ai zhvillohet me synim promovimin e Kosovës dhe Dua ka ftuar atje këngëtarë si Miley Cyrus, Gashi, Calvin Harris, Martin Garrix etj.