Roma niset për në Shqipëri, skuadra e Mourinhos nuk do të stërvitet në ‘Air Albania’

Jemi një ditë para finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord. Feyenoord ka mbërritur në Tiranë, ku sonte do të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa skuadra e Jose Mourinhos sapo është nisur drejt Shqipërisë dhe nuk do të kryejë stërvitje në “Air Albania”.

Italianët përfunduan  stërvitjen e fundit në orën 11:00 në kompleksin e tyre stërvitor në Romë dhe menjëherë morën rrugën për në Tiranë. Konferenca për shtyp me Mourinhon, Lorenzo Pellegrinin dhe Gianluca Mancinin nis në orën 17:45.

Feyenoord do të stërvitet sonte në stadiumin ku do të luhet nesër finalja. Stërvitja do të jetë e aksesueshme për shtypin për pesëmbëdhjetë minuta, pas së cilës të gjitha dyert do të mbyllen dhe Arne Slot dhe ekipi i tij do të bëjnë përgatitjet e fundit për Romën. Trajneri do të flasë për shtypin sonte në orën 18:45 së bashku me Jens Toornstra dhe Gernot Trauner. Stërvitja e fundit fillon në orën 19:30.