Gazeta austriake tallet: Askush nuk do të bëhet president në Shqipëri

Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri në Shqipëri është kthyer nga farsë në fyes dhe tallës.

Edhe pse kanë nisur raundet e votimit, asnjë emër nuk është shfaqur publikisht, ndërsa procesi po zhvillohet pa asnjë transparencë.

Teksa opozita e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një proces mafioz, gazeta e njohur austriake, Kurier është tallur me këtë situatë.

“Askush në Shqipëri nuk do të bëhet president,” është titulli i shkrimit të kësaj gazete.

“Shqipëria e ka ende një president deri më 24 korrik. Në këtë datë i mbaron mandati kreut aktual të shtetit shqiptar, Ilir Meta. Për momentin është jashtëzakonisht e pasigurt se kush do ta pasojë, sepse asnjë parti parlamentare nuk ka propozuar kandidat për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Afati i regjistrimit ishte dje, ditën e diel në ora 16:00.

Sipas procedurës aktuale, Presidenti i Shqipërisë zgjidhet në pesë raunde votimi. Seanca e Kuvendit është caktuar të hënën, kur duhet të zhvillohet edhe votimi i dytë. Për shkak të mosregjistrimit të kandidatëve, ky raund konsiderohet i pasuksesshëm”.