VIDEO-SYRI TV/ Shfaqja ‘Gruaja- Kukull’, që ngre kryet ndaj të shoqit

Raportet në çift nuk kanë qenë kurrë të lehta. Komedia ‘Kukulla’ trajton këtë marrëdhënie komplekse, midis një burri dhe një gruaje kukull, që në fund jep rezultatin e dëshiruar. Stela zhvesh realitetin e gënjeshtërt, për t’i hapur sytë Markos, i cili bëhet njeri më i mirë falë gruas-kukull. Shfaqja i flet realitetit në Shqipëri. 

Nga SYRI TV

Gratë janë ankuar gjithmonë për disa tipare të meshkujve. Humori i hollë e situatat dramatike në komedinë ‘Kukulla’ i njohin shijuesit e teatrit me një çift jo të zakonshëm,  historia e të cilit nis fill pas ndarjes së Markos nga lidhja 7 vjeçare me Marian, për shkak të hezitimit të tij për martesën dhe fëmijën që dëshironte ajo.

Marko vetmitar, i lënduar thellë fillon të jetojë me një grua- kukull e krijuar për të përmbushur dëshirat e mashkullit, por ajo që I dha jetë Stelës qe një shkencëtare grua. Vështrimi regjisorial i Elma Doresit i flet realitetit në Shqipëri.

Një grua-kukull që e ngre zërin ndaj padrejtësive, që s’pranon nënshtrimin, fuqia e Stelës ngrihet përmbi Markon, për të treguar forcë e vetëbesim, që e shpie të dashurin e saj drejt reflektimit.

Marrëdhënia nis si një lojë e bukur, ndërsa egoizmi dhe dëshira për ta quajtur gruan si pronë, shkatërron gjithçka.

Në jetë asgjë nuk duhet marrë e mirëqenë, për sa kohë nuk luftohet çdo ditë. Komedia ‘Kukulla’ do të vijojë të ngjitet në skenën e Ar Turbinës, ndërsa publiku nuk duhet të humbasë skenat plot batuta e drama në shtëpizën e çiftit.