S’ka 20 firma, Alibeaj tërhiqet nga 'Presidenti', anulon mbledhjen e grupit të PD

Pasi gënjeu e tërhoqi deputetët e PD në një proces tallës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se nuk do të vazhdonte negociatat, me argumentimin se Rama e Balla nuk i qëndruan fjalës. Vetëm 20 minuta para mbledhjes në Selinë e PD, Alibeaj njoftoi deputetët nga posht zyrës së Ballës se mbledhja e grupit u anulua. Alibeaj deklaroi për mediat se marrëveshja u shkel, por fakt u bë pasi ish-kryetari i grupit nuk arriti të mbledh as 20 firmat e deputetëve të djathtë, të nevojshme për propozimin e një kandidature.  

SYRI TV

Mosarritja e mbledhjes së 20 firmave nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike duket se ka prodhuar një tjetër skenar mes negociatave mes Enkelejd Alibeajt dhe Taulant Ballës për të zgjedhur presientin e ri.

Sot Alibeaj njoftoi deputetët se kishte anuluar mbledhjen pasi Partia Socialiste e kishte shkelur marrëveshjen.

Në një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Alibeaj u shpreh se Rama e Balla nuk pranojnë që të bashkojnë firmat për të bërë një propozim të përbashkët nga procesi që do të zhvillohet nga përzgjedhja e emrave të propozuar nga deputetët e PD. 

I pyetur nga gazetarët se tashmë doli tek ajo çka kishte paralajmëruar që në fillim Komisioni i Rithemelimit, Alibeaj siç ish-shefi i tij, u justifikua se Rama e Balla nuk e mbajtën fjalën. 

Por duket se Enkelejd Alibeaj gënjen në deklaratën e tij, se PS i premtoi për firmosjen e një kandidature të përbashkët, pasi në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve Taulant Balla, vazhdimisht i kërkoi dhe pyeti Enkelejd Alibeajn nëse i kishte pas vetes 20 deputetë për të firmosur, pasi në të kundërt çdo bisedim ishte i kot. 

Enkelejd Alibeaj zgjodhi të tërheqë pas vetes një grup deputetësh të PD me pretendimit se do të plotësonin detyrimin kushtetues, e me premtimin se Edi Rama do t’i lejonte të drejtën e propozimit. E sot Alibeaj deklaroi se Rama nuk e kishte mbajtur fjalën. 

Por e vërteta është krejt e ndryshe. Kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka konfirmuar se Presidentin do e zgjedhi ai, e opozita nëse do të bëhet pjesë e procesit, por jo se do të pranonte  propozim nga opozita. 

E në fund të kësaj historie duket se veç talljes politike që mazhoranca i bëri Alibeajt, pre ranë edhe deputetët e Partisë Demokratike.

Ata u tërhoqën për të bërë propozime për emra që do mbeten veç në dosjen e Alibeajt dhe teksa prisnin në lokalet rreth selisë të Partisë Demokratike për t'u mbledhur, befas njoftohen me një mesazh në telefon që të largoheshin pasi farsa kishte përfunduar.