Farsa për 'Presidentin'/ Alibeaj zhgënjehet nga Balla: E dija që do më keqpërdorte! Lutja për Ramën

Griset pas 48 orësh pseudo-marrëveshja Balla-Alibeaj, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. 

Pas disa takimeve dhe tryezave boshe, sot PS doli me qëndrim final se nuk do të japë votat për asnjë nga kandidaturat e Enkelejd Alibeajt.  

Rezultoi ashtu siç edhe u nis, një farsë e vërtetë, pa asnjë produkt, por vetëm keqpëdorim politik të atyre që pretendojnë se përfaqësojnë opozitën.

Duke u ndjerë i keqpërdorur nga Taulant Balla dhe Elisa Spiropali, Enkelejd Alibeaj doli në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit për të thënë se ishte i zhgënjyer nga dredhitë e kreut të grupit parlamentar socialist. 

Duke parë Edi Ramën si 'shpëtimtar', që mund ta nxjerrë nga bataku i poshtërimit, Alibeaj i bëri thirrje kryeministrit që të mbajë premtimin kur është shprehur se presidenti do të ishte i opozitës dhe se ata duhet të vinin me propozime konkrete, me emra. 

"Rama na premtoi se presidenti do të ishte i opozitës, në një proces konsensual. Nuk jam shumë i lumtur që dolën parashikimet e mia, do të isha më i lumtur t'ju jepnim presidentin shqiptarëve, jashtë anësive politike. Ne kemi qenë seriozë gjatë gjithë këtij procesi. Që të kishte një emër, do të duhej që ky emër të ishte propozuar nga ne. Dhe ai të kishte nënshkrimet e përbashkëta si shenjë mbështetje e përbashkët dhe do të kishim Presidentin e Republikës. Pse ndodhi? Panë emrat dhe panë që asnjë nga ata nuk mund ta peshkonin dhe ikën me 'bisht ndër shalë'", tha Alibeaj.