VIDEO-SYRI TV/ Tritol, lokalit të policit në Grudë të Re, digjet edhe furgoni pranë lokalit

Një tjetër efektiv i uniformave blu është bërë objekt i sulmit me tritol në zonën e Shkodrës. Në orët e para të mëngjesit të sotëm një person i maskuar ka vendosur tritol në lokalin e policit Ndrek Rrasa në fshatin Grudë e Re. Ky është rasti i dytë në harkun kohor të një jave që policëve u cenohen pronat tyre nga persona të paidentifikuar.

Nga SYRI TV

Lokali i një polici në fshatin Grudë e re në Shkodër është hedhur në erë rreth orës 2:20 të mëngjesit të kësaj të premte.

Përveç lokalit, autori i ka vënë flakën edhe një furgoni që ndodhej i parkuar pranë barit të efektivit të Shkodrës. Autori ndez lëndën plasëse me fitil të cilën e hedh tek porta e lokalit dhe më pas një bidon me benzinë në formë molotovi e hedh poshtë furgonit që është i parkuar aty pranë.

Në pamjet e siguruara nga SYRI TV duket se autori që ka vendosur lëndën plasëse është i maskuar dhe në kokë mban një paruke me flokë të gjata, ndërsa në trup ka të veshur një fustan. Por nga levizjet e tij duke qartë se ai është një mashkull i kamufluar si femër.

Para kolegëve të tij efektivi Rrasa ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me njeri dhe se ngjarja është e lidhur drejtpërdrejt me punën e tij, por nuk ka një emër të dyshuar që mund të ketë vendosur tritolin në lokalin e tij.

Ky është rasti i dytë në harkun kohor të një jave që policët e Shkodrës bëhen objekt i sulmeve nga persona të cilët kanë në ndjekje apo i kanë arrestuar, ku më pas këta individ janë hakmarrë ndaj uniformave blu. Kujtojmë se më datën 14 maj një person i maskuar i vendosi flakën Fuoristrade-s së efektivit Sokol Kroni.