Mes Napolit dhe Kosovës, Rrahmani bën bilancin e sezonit: Kjo nuk më kishte ndodhur kurrë

Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, bën bilancin e sezonit. Në një intervistë për mikrofonat e Radio Kiss Kiss, mbrojtësi dardan theksoi rëndësinë e kthimit të napolitanëve në Champions.

“Ishte një vit në të cilin e arritëm objektivin tonë, por me pak fat mund të kishim bërë pak më shumë. Por kështu shkoi dhe ne duhet të jemi të lumtur për vendin e tretë dhe rikthimin në Champions League. Ishte një sezon pozitiv”.

Ish-mbrojtësi i Partizanit shpreh keqardhjen që në disa ndeshje gjërat nuk shkuan mirë. Më pak fat, Napoli mund të kishte synuar “Scudetton”.

“Mund të kishim bërë më mirë – shpjegon Rrahmani – nëse në disa ndeshje gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Për shembull me Milanin nuk kishim pësuar as një goditje në portë në pjesën e parë, pastaj ata fituan. Na vjen keq, sepse edhe ne donim “Scudetton”. Sezoni ishte i vështirë – shton ai – por në të njëjtën kohë i bukur. Kemi luajtur shumë ndeshje me stadiumin plot, nuk e kisha parë kurrë më parë dhe është një gjë shumë e bukur. Jam i lumtur, sepse ky ishte viti në të cilin kam luajtur më shumë në karrierën time. Kam luajtur pesëdhjetë ndeshje, duke përfshirë dhe ato me Kombëtaren dhe është viti i parë që më ndodh, kam shënuar edhe katër gola me Napolin dhe të tjerë me Kombëtaren, është një sezon pozitiv”.