PD, Bylykbashi: Alibeaj pranoi që Edi Rama të caktojë edhe opozitën

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht negociator për çështjen e Presidentit të ri, doli në një deklaratë për shtyp nga selia blu.

Ai tha se e ashtuquajtura marrëveshje e shpallur nga Enkelejd Alibeaj konfirmoi se Edi Rama po cakton edhe opozitën.

“Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës. Taulant Balla i dha të drejtën Alibeajt të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë,” tha Bylykbashi. 

“Rama kërkon që kandidatin e tij të preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual,” shtoi ai. 

DEKLARATA E PLOTE

Me 18 maj 2017, Basha i fali Ramës zgjedhjet duke pranuar që të mos përdorej koalicioni. Rama ia kërkoi heqjen e koalicionit që ta lejonte Bashën të dilte nga çadra e të hynte në zgjedhje dhe Basha e pranoi marrëveshjen.

Dje më 18 maj 2022, pesë vite më pas, u shpall një marrëveshje e re. Taulant Balla i dha të drejtën deputetit Alibeaj që të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë. 

Me këtë akt Rama kërkon që kandidatin e tij te preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual. 

Me marrëveshjen e djeshme Alibeaj ka marrë përsipër t’ia sigurojë këtë. 

Alibeaj pranon që Partia Socialiste të caktojë edhe opozitën, por edhe sa herë ka të drejtë opozita të propozojë kandidatë për president. 

Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur deputetët e Partisë Demokratike që të legalizojë marrëveshjen e tj personale me Ballën, marrëveshje që i siguron Edi Ramës një president kukull me veshje konsensualiteti kallp. 

Deputetët e Partisë Demokratike janë të ndërgjegjshëm që përfaqsojnë vullnetet e demokratëve të shprehura nga organet e tyre më të larta përfaqësuese dhe jo vullnete dhe pazare personale. 

Opozita nuk ka nevojë marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo e drejtë është në Kushtetutë. Partia Demokratike e ka përcaktuar qëndrimin e saj të qartë dhe konstruktiv me rezolutë të Këshillit Kombëtar. Partia demokratike e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe t’i dorëzojë presidentin Edi Ramës.

Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i unitetit të popullit, që vjen nga vullnete përfaqësuese politike bazuar në vote, dhe jo një kukull e një marrëveshje vasaliteti të lidhur në përvjetorin e pestë të një marrëveshjeje famëkeqe.