‘Spider-Man’ i Sudanit: aktivisti i maskuar bëhet simbol i rezistencës

I veshur me të kuqe dhe blu, "Spidey" është një pjesë e protestave kundër regjimit ushtarak - dhe subjekt i një dokumentari të ri të Guardian

Dhuna dhe arrestimet nuk do t'i pengojnë aktivistët e rinj të Sudanit të rezistojnë ndaj ushtrisë që "na vodhi revolucionin tonë", thotë një burrë që përballet me gazin lotsjellës dhe plumbat me një kostum superheroi blu dhe të kuq.

I paraqitur në një dokumentar të ri të Guardian, "Spider-Man" i Sudanit, emri i të cilit nuk mund të përmendet për sigurinë e tij, është bërë një simbol i protestave që filluan në tetor. I veshur me kostumin dhe maskën e tij,  ai dhe demonstruesit e tjerë përballen me bombola gazi lotsjellës, topa uji dhe shpesh me plumba të vërtetë.

Gjatë protestave shoku i tij i fëmijërisë u vra nga forcat e sigurisë, forca që janë akuzuar për sulme seksuale ndaj grave dhe ndjekje të aktivistëve.

Ishte si një homazh për mikun e tij që ai veshi kostumin, më pak si një maskim sesa si një simbol i humbjes së shokut dhe rrëfimit që ata kishin dëgjuar që kur ishin fëmijë, të merimangës që mbrojti Profetin Muhamed dhe shokun e tij duke thurur një rrjetë në grykën e një shpelle ku ata qenë fshehur, që do të thotë se armiqtë e tyre i kaluan pa kontrolluar brenda.

"Spidey" ishte në mesin e qindra mijëra njerëzve, protestat e të cilëve në 2019 çuan në rënien e diktatorit Omar al-Bashir dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila u rrëzua vetë në një grusht shteti ushtarak në tetor 2021.

“Partitë ushtarake dhe kundërrevolucionare, ato e vodhën revolucionin e Sudanit. Ato janë si qeveria e mëparshme prej 30 vitesh – nuk ka asnjë dallim mes tyre dhe partisë së Kongresit Kombëtar të Bashirit”, tha ai. "Ata janë diktatorë dhe duan vetëm kontroll."

Spidey u filmua teksa merrte pjesë në protesta, si dhe në rolin tjetër, atë si një shkencëtar autodidakt që u mëson robotikën, fëmijëve të vegjël.

Në një takim sekret të një komiteti rezistence që koordinon veprimet e lokalizuara rreth Sudanit, Spidey dhe shokët e tij aktivistë folën se si ndiheshin të bashkuar me popullin sudanez në qëllimin e tyre për të përmbysur ushtrinë, pavarësisht nga dhuna e përdorur kundër tyre.

"Nata shkon dhe vjen, çdo ditë është kështu," tha Spidey. “Me vullnetin e Zotit, ne ende dalim. Deri më sot ne vazhdojmë të përpiqemi për të çliruar vendin, por nuk kemi frikë. Populli i Sudanit, të gjithë ata, do të vazhdojnë të përballen me forcat e sigurisë dhe plumbat e tyre.”

Të paktën 95 njerëz janë vrarë në protestat që nga tetori, sipas Komitetit Qendror të Mjekëve Sudanezë, një grup pro-reformës i cili gjithashtu ka paralajmëruar për rritjen e përdorimit të armëve mbi turmat nga forcat e sigurisë, duke shkaktuar një numër të madh viktimash.

Sipas regjisorit Phil Cox, Spidey është bërë një përfaqësim i atmosferës në vend. Kostumi i tij dallues duket se i jep energji protestuesve rreth tij dhe simbolizon rezistencën.

“Ishte madhështore ajo që njerëzit po bënin – start-ups dixhitalë, kolektivë kreativë – por ata tani janë nën kërcënim dhe janë rrethuar nga ushtria”, tha Cox.

Pasi revolucioni në vitin 2019 u përmbys, tha ai, shumë nga ata aktivistë të rinj u zemëruan dhe u bënë mosbesues ndaj njerëzve në pushtet, përfshirë negociatorët ndërkombëtarë.

“Ata ndiejnë se vëmendja është larguar, se janë vetëm dhe absolutisht nuk po tërhiqen..."