17 maji i dytë

Parimi themelor i demokracisë është vota. Sidomos ajo e lirë, e drejtë, e pandikuar, pra, e ndershme. Në Partinë Demokratike ka nisur një proces Rithemelimi, angazhimi, shkundje politike që asnjë forcë politikë nuk e ka përjetuar në vendin tonë. Dhe vota po menaxhon gjithçka.

Një proces të tillë u prit që ta bënte PPSH me 1991, por asnjë lloj shkundje të tillë nuk pati. Vetëm emrin ndryshoi dhe vijoi me emrin e ri, me të njëjtën arrogancë edhe në të qenit opozitë edhe në të qenit në pushtet. Asnjë lloj merite nuk kanë në zhvillimet demokratike shqiptare, por si gjithmonë u themeluan nga serbët në Tiranë dhe vijojnë të njëjtin oktapodizim të klimës dhe spektrit politik në Shqipëri dhe jetës sociale. Mbijetojnë me manipulime dhe propagandë. Fitojnë zgjedhje me banda dhe blerje votash. Miratojnë projekte në të shumtën e rasteve korruptive nëpërmjet dhunës policore. Blejnë opozitën që të menaxhojnë protestat e njerëzve. U hedhin nga një kockë “simboleve” të shoqërisë civile e i ndërsejnë në çdo reagim qytetar që u ngjan i frikshëm. Sponsorizojnë mediet në masë të madhe edhe me plehra, edhe pa plehra inceneratorësh dhe qeverisin të qetë në orgjinë e tyre jo vetëm politike. Por kjo nuk është demokracia. 

Pra, edhe pas 2013, kur pushteti u kaloi rilindasve të PS, asnjë ndryshim, asnjë pikë uji që sjell ndryshim nuk u pikas në çadrën e shëtitjeve qeverisëse. Integrimi bëri vetëm hapa pas. Demokracia e kërcënuar. A, po, harrova, kanë shtruar me gurë disa qendra qytetesh që të këndojnë lirshëm tallavanë e propagandës së tyre.

Nëse demokracia nuk funksionon, atëherë i duhet bërë rinovim. Ashtu po bën Sali Berisha me opozitën dhe kjo ka sjellë frikë dhe çoroditje në kampin e qeverisë dhe opozitës qeverisëse. Pra lëvizja sjell edhe ndryshimin. Këtë rinovim ai do bëjë edhe në qeverisjen e nesërme.

Me 2017, pesë vjet më parë një marrëveshje mes ish-kryetarit të PD, Basha dhe kreut të gjithë pushteteve Rama, solli zbythjen përfundimtarë të PD dhe mbylljen e saj në bunkerin e Bregut të Lanës. Detaje nuk janë publikuar kurrë nga takimi mes tyre, por çdo gjë që ndodhi më pas në PD i shërbeu vetëm Edi Ramës e aspak shqiptarëve, e aq më pak demokratëve që shikonin se si projekti i tyre për një Shqipëri Evropiane po shkërmoqej si kështjellat prej rëre përballë valës.

Po ku jemi sot. Opozita po ringrihet, por akoma hija e marrëveshjes së 17 majit 2017 mban peng, lidhur me zinxhirë si ato të diktaturës, shumë eksponentë të opozitës. Në një takim që u zhvillua në Tiranë nga Rilindja, e cila nuk humbet asnjë rast që të shfrytëzojë vizitat e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të SHBA që të tregojë besnikëri ndaj SHBA (më vjen shumë mirë që edhe disa komuniste të PPSH, PS, Rilindjes e kanë kuptuar se sa humbje kohe ishte propaganda antiamerikane për 45 vjet me radhë, ngjan se kanë ndryshuar!!??), kishte edhe përfaqësues të opozitës.

Por në fakt me çuditi fakti, jo i prezencës së deputetëve të opozitës në këtë ceremoni, por fakti i përdorimit të tyre për fasadë në një takim për nder të një ish-zyrtari të lartë të SHBA që në fakt kishte ardhur në Tiranë edhe për biznes.

Tërheqja për dore e Alibeajt nga Balla me la shije të keqe. Krejt njëjtë si shtrëngimi i duarve mes Ramës dhe Bashës para selisë së Kuvendit 5 vjet më parë. Dhe s’e di pse mendova se këta nuk heqin dorë nga 17 Maji. 

Sjellja e deputetit të opozitës nuk me ngjante aspak e sforcuar. Dukej se mezi priste udhëzimet e pasardhësve politikë të atyre që persekutuan shqiptarët. Se çfarë duhet të bënte, ku të shkonte, çfarë të thoshte... Dhe qëndrimi për zgjedhjen e Presidentit të ri duket se një 17 maj në vijim.

Prandaj që të mos kemi më 17 maj të tjerë, duhet që opozitarët të bashkohen e në vend të kulisave të kompromiseve me pazare të pushtojnë sheshet e reagimit. Rruga e Shqipërisë është Evropa, rruga e votës së lirë. Këto vite qeverisje pas 2013 po tregojnë se ne po ikim nga jo rrugë. Ky është krim. Dhe në këtë krim janë bashkëfajtorë edhe 17 maj-sat e opozitës.