Shkrimi i gazetës austriake/ Meta: Do i padis për shpifje! Nuk më ndalin dot

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi reagoi pasi gazeta austriake ‘Kronen Zeitung’ publikoi një shkrim për Ilir Metën.

‘Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është njohur sot me një shkrim pa autor të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh.

Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjesuese, që në prill të vitit 2018.

Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake.

Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore.

Në këtë mënyrë, shpifësit do të marrin përgjigjen e merituar përballë drejtësisë.

Presidenti i Republikës garanton se beteja e Tij për mbrojtjen e interesit publik dhe luftën kundër korrupsionit, jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të përshkallëzohet, që nga zbardhja e plotë e aferës së inceneratorëve (që deri tani vetëm sa është gërvishtur), si dhe të gjitha aferat e tjera,” shkruan Blushi.

Media austriake shkruan sot se një denoncues, që ka zbuluar aferat korruptive të Metës, është fshehur në Austri, për shkak të kërcënimeve me vdekje që ka marrë.

Ky dëshmitar thotë se ka zbuluar se Meta ka paguar nëpërmjet kompanisë offshore “Dorelita Limited” 700 mijë dollarë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit amerikan Donald Trump në vitin 2017.

Media austriake denoncon edhe shpenzimet e tjera të Presidentit, mes të cilave janë edhe 50 mijë euro të paguara për operacione plastike për bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin.