Rama: Do pyes qytetarët dhe do i publikoj pagat e shqiptarëve çdo vit

Mega-skandali i publikimit të pagave shokoi shoqërinë shqiptare dhe bëri bujë edhe në botë. 

Por si me rastin e patronazhistëve, edhe këtu Rama nuk sheh asnjë skandal. Madje ai deklaroi se sërish do e përdorë Këshillimin Kombëtar, që publikimi i pagave të shqiptarëve të bëhet rutinë.

Rama tha sot se në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar, do të pyesë qytetarët për të publikuar të gjitha pagat njëherë në vit.

“Mendojmë se është e udhës t'i pyesin shqiptarët mos vallë është më mirë që njëherë në vit të gjitha pagat të bëhen publike. Vendet që e bëjnë këtë, ka disa vende, thonë se kjo ka efektin më të madh vetërregullues brenda përbrenda sistemit, ne mendojmë se kjo është shumë e vërtetë se e shohim se impakti i kësaj ngjarje dhe punës së bërë pas kësaj ngjarje… Ideja se pagat mund të bëhën publike çdo vit, njëherë në vit, është një ide që nuk mendoj se duhet ta aplikojmë me të thënë e me të bërë, por ia vlen të konsultohet opinioni publik”, tha Rama.

Kujtojmë se Rama e përdori Këshillimin Kombëtar për qëllimet e tij politike, teksa sondazhi ishte skandaloz dhe aspak një pasqyrim i opinionit publik.